Qentë Endacakë në Prishtinë Pa Rrezikshmëri të Lartë Sëmundjesh?

Rreziku nga qentë endacakë, edhe pse teorikisht i pranishëm në disa aspekte, mund të mos jetë i tillë për sëmundjet më të rrezikshme ngjitëse, në Komunën e Prishtinës.

Instituti i Parazitologjisë në Universitetin e Cyrihut në bashkëpunim me Departamentin e Mjekësisë Veterinare, Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina“ dhe Shoqatën për Mbrojtjen e të Drejtave të Kafshëve – ANIMA realizuan një hulumtim mbi sëmundjet parazitare në qentë endacak të Prishtinës.

Realizuesit e këtij hulumtimi pranojnë se në Kosovë shumë qytetarë besojnë se qentë endacakë janë bartës të shumë sëmundjeve infektive dhe parazitare që kalojnë nga kafshët tek njeriu (zoonoza) dhe se ato mund të paraqesin rrezik për shëndetin publik.

“Ky supozim edhe mund të jetë i saktë, por për ta vërtetuar këtë hipotezë duhet kryer hulumtime të cilat e konfirmojnë gjendjen reale në terren”, tha ANIMA në komunikatën e saj për medie.

Për këtë hulumtim në fund të vitit 2014 dhe në fillim të vitit 2015 u morën 91 mostra gjaku, ku të gjitha rezultuan negative një sërë parazitësh.

Parazitët e hulumtuar ishin Leishmania infantum, Babesia canis, Dirofilaria immitis dhe Angiostrongylus spp. Interes të veçantë në kuadër të këtij studim kishte mundësia e pranisë së sëmundjes së Leishmaniozës, si rrezik serioz për shëndetin publik.

Rëndësia e këtij hulumtimi, përveç faktit se na jep një pasqyrë të pranisë së këtyre sëmundjeve në qentë endacak, qëndron në krijimin e një ideje më të qartë rreth rrezikut real që këto kafshë paraqesin për shëndetin publik, me gjithë nevojën për një kontroll të qëndrueshëm dhe human të shtimit të tyre.