Punëtorët e Pastrimit të Shkollave të Pejës Protestojnë Para Komunës

Punëtorët e pastrimit të objekteve shkollore në Komunën e Pejës protestuan sot për mosmarrjen e pagave që dy muaj.

105 punëtorët e pastrimit nën menaxhimin e kompanisë “Selmans Network’ nuk i kanë marrë pagat e tetorit dhe nëntorit për shkak të mosmarrëveshjeve mes Komunës së Pejës dhe kësaj kompanie.

Gjane Merdita njëra nga punëtoret protestuese tha për KALLXO.com se janë duke e vazhduar punën edhe pa paga.

“Në muajin tetor nuk na kanë paguar, muaji nëntor është duke kaluar, erdh edhe muaji dhjetor. Ne nëpër punë po dalim, jemi duke pastruar, por rroga nuk kemi. Nuk po dimë me kënd të flasim, me kompaninë nuk jemi më, drejtorati nuk na merr parasysh, Kryetari nuk na merr parasysh, te kush të ankohemi ne,“ u ankua Merdita.

Protestuesi Arben Krasniqi tha se shumica e këtyre punëtorëve kanë kushte të vështira jetese.

“Jemi duke u përballur me kushte shumë të vështira,diku 90 % të punëtorëve  ndihmës janë skamnorë, “ tha punëtori i pastrimit Krasniqi.

Punëtorët qëndruan në oborr të komunës derisa u takuan me nënkryetarin e Pejës Shkumbin Gashi.

Gashi u tregoi punëtorëve protestues se nesër komuna do t’ia dërgojë kompanisë “Selmans Network” njoftimin për shkëputje të kontratës. Ai punëtorëve u premtoi se komuna do t’u ofrojë gjatë tre muajve të ardhshëm kontratë në vepër dhe do t’i paguajë për punën që do ta kryejnë.

I kontaktuar nga KALLXO.com, Kastriot Hulaj, menaxher i kompanisë “ Selmans Network“  tha se kompania do të marrë kredi për t’ua dhënë punëtorëve rrogën e muajit tetor, ndërsa për nëntor nuk do t’i paguajë, pasi për këtë muaj nuk ka marrë punë nga Komuna e Pejës.

Menaxheri Hulaj tha se Komuna e Pejës nuk ka respektuar kontratën me “Selmans Network” dhe sipas tij nga kompania komunës i kanë shkuar tetë shkresa për respektim të kontratës.

Për problemin e pagave të 105 punëtorëve KALLXO.com shkroi nëntë ditë më parë.