Promovohen Tre Libra në Universitetin e Prishtinës

Tre libra që flasin për metodologjinë e mësimdhënies, të shkruarit dhe kurrikulumin janë promovuar të mërkurën në Bibliotekën Kombëtare të Universitetit të Prishtinës.

“Koncepte themelore për të kuptuar kurrikulumin”, nga autori Colin J. Marsh, “Si të shkruajmë ese dhe detyra universitare”, nga autorët Kathleen Mc Millon dhe Jonathan Weyers dhe “Metodologjia e mësimdhënies”, nga autori shqiptar Bardhyl Musa, u prezantuan para profesorëve, studentëve dhe analistëve në bibliotekë.

Dy librat e parë të cilët janë shkruar nga autorë të huaj, janë përkthyer në Tiranë nga shtëpia botuese CDE, dhe tashmë mund të përdorën edhe nga studentët kosovarë.

Bardhyl Musai, drejtor për arsim demokratik në Tiranë, i cili po ashtu promovoi një libër të tij, tha që është gabim të bëhet revolucion me arsimin shqiptar, pasi kjo do të nënkuptonte përmbytje.

“Politika nganjëherë ndonëse e ka për qëllim të mirë po bënë gjëra me karakter revolucionar për arsimin, por arsimi nuk e toleron këtë. Ne mund të prishim lehtë diçka të krijuar tashmë por vështirë është të rregullohet”, tha Musaj.

Ai shtoi se procesi i të shkruarit për shqiptarët është me shumë të meta dhe për këtë, sipas tij, shqiptarët duhet të jenë të bashkuar për t’i rregulluar këto të meta.

“Ne shqiptarët dimë të bëjmë më mirë vetëm kur jemi të gjithë të bashkuar… Prandaj ta bëjmë edhe në arsim ashti siç ditëm edhe dje në Beograd”, ka thënë Musaj duke iu referuar ndeshjes sw mbrëmshme futbollistike Serbi- Shqipwri.

Për të folur për librat që u promovuan,  e pranishme ishte edhe Eda Vula, profesoreshën në Fakultetin e Edukimit e cila është zgjedhur edhe prorektore në Universitetin e  Prishtinës.

Ajo i cilësoi këto libra si “shumë të nevojshme” për studentët pasi tha që vërehen vështirësi dhe boshllëqe në të shkuarit e detyrave universitare.

“Këta libra do të ndikojnë në ngritjen e cilësisë në arsim pasi kemi vështirësi në fushën e metodologjisë dhe mësimdhënies, prandaj e falënderoj profesorin Bardhyl Musaj që na solli këta libra nga Tirana”, tha prorektorja Vula.

Si të nevojshëm për studentët në Fakultetin E Edukimit, këta libra i cilësoj edhe prodekani për mësim në Fakultetin e Edukimit, Zeqir Veselaj.

“Librat përmbushin një boshllëk në literaturën tonë dhe më këtë pasurohet edhe ajo literaturë që kemi”, tha Veselaj.

Në fund të ceremonisë së promovimit,  disa nga të pranishmëve iu shpërndanë këta tre tituj të rinj.