Prokuroria Kërkon Dëshmi Ndaj Kirurgëve të SMS-ve

Prokuroria Speciale e Kosovës u ka bërë thirrje pacientëve të dëmtuar që janë dëmtuar nga mjekët e arrestuar javën e kaluar.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, përmes mjeteve të informimit publik, i njofton dhe fton të gjithë qytetarët, të cilët ndihen se janë dëmtuar nga zyrtarë mjekësorë të reparteve të kardiologjisë në QKUK dhe Spitalin Publik të Pejës, si dhe spitaleve private IMH dhe EDA,  që rastet e tyre, së bashku me dëshmitë që kanë t’i paraqesin në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës (rruga: “Fehmi Agani”, ndërtesa e PTC-së, Prishtinë), apo në Departamentin Special Anti Korrupsion në Policinë e Kosovës”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Por kolegët e kardiologëve të arrestuar kanë qenë të rezervuar në komente sot, në një konferencë për shtyp në repartin e kardiokirurgjisë në QKUK.

Shefi i këtij reparti, Bekim Dula, e ka lënë në dorë të gjykatës që ta trajtojë rastin e kolegëve të tij kardiologë të cilët javën u arrestuan nga policia.

Sipas Dulës, ata aktualisht janë vetëm të dyshuar.

Komentet e kardiologut kosovar u bënë kur QKUK po prezantonte një bashkëpunim ndërkombëtar me një mjek i cili do të japë kontribut për tri ditë në këtë repart.

Komunikimi i mjekëve përmes SMS-ve është dokumentuar të premten nga KALLXO.com. Nga këto komunikime dyshohet se këta mjekë kanë dërguar pacientë për shërim në sektorin privat me qëllim të përfitimit material.

Ndërsa Ramush Beiqi nga Shërbimi i Kardiokirurgjisë ka dhënë një shpjegim shkencor kur është pyetur për rastin e kardiokirurgëve të arrestuar.

“Mund të ndodhë që për momentin pacienti ka shtrëngim të enëve të gjakut dhe kur e bënë koronarografine del negative, prandaj dalja e rasteve rrejshëm pozitive del çdo kund në botë”,  u shpreh Beiqi duke u përpjekur t’i shfajësojë mjekët nga dyshimet se mund të kenë intervenuar pa pasur nevojë.

“Unë kam gabuar në shumë pacientë në diagnoza dhe më janë kthyer rrejshëm në negative nga jashtë. Çka me ba tash, të ma hiqni kokën a?”, pyeti ai gazetarët.