Prokurori Mungon në Seancën Kundër ish-Gjyqtarit

Imer Beka, prokuror në rastin e gjykimit të ish-gjyqtarit Ukë Muqaj ka munguar në seancën e së hënës, derisa avokati i të akuzuarit ka kërkuar përjashtimin e tij dhe cilitdo prokurori tjetër vendas. Muqaj akuzohet për marrje ryshfeti dhe ushtrim ndikimi, ndërsa seanca u shty për mungesë të prokurorit.

Mungesa e prokurorit në seancë e çuditi gjyqtaren e EULEX-it Mariola Pasnik.

“Në katër vjet që jam në Kosovë nuk më ka ndodhur një rast i ngjashëm me këtë”, tha ajo, teksa bëri të ditur se nuk ka marrë ndonjë informatë nga prokuroria në lidhje me mosardhjen e prokurorit Beka.

Në seancë, Orhan Basha, avokati i ish-gjyqtarit Ukë Muqaj kërkoi përjashtimin pikërisht të këtij prokurori dhe çfarëdo prokurori tjetër vendas.

“Kërkojmë përjashtimin e prokurorit Beka dhe çfarëdo prokurori tjetër vendor “, tha Basha.

Përjashtimin Basha e kërkoi kur mësoi se Imer Beka do të jetë përfaqësues i organit të ndjekjes në këtë rast.

Ukë Muqaj në janar të vitit 2012 ishte dënuar nga Gjykata Komunale në Prishtinë me tre vjet burg dhe tre vjet mosushtrim profesioni, pasi akuzohej për marrje ryshfeti dhe ushtrim ndikimi.

Prokuroria e akuzonte atë se kishte marrë 12 mijë euro, derisa kryente detyrën e gjyqtarit.

Orhan Basha ishte ankuar në Gjykatën e  Apelit ndaj këtij vendimi dhe Apeli e ka kthyer lëndën në rivendosje.

Seanca u shty për shkak të mungesës së prokurorit. Ishte paraparë që në të dëshmojnë tre persona.