Projektligji për Festa Zyrtare nuk Kalon në Kuvend

Edhe pse kur i erdhi radha Projektligjit për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Festat Zyrtare ai u tejkalua ngase mungonin deputetët e Listës Serbe, ky projektligj u kthye në rigjykim kur u kthyen në seancë deputetët e komuniteteve.

Por projektligji nuk kaloi në seancën parlamentare, pasi vetëm 50 deputetë votuan për, 20 e 20 e kundërshtuan ndërsa 2 abstenuan.

Për të kaluar ky ligj duhej të votohej nga shumica e deputetëve të Kuvendit dhe shumica e deputetëve të komuniteteve që kanë vende të garantuara në parlament.

Ky projektligj u diskutua të mërkurën në seancën parlamentare por që nuk doli në votim për shkak të mungesës së kuorumit.

Gjatë seancës së të mërkurës ministri i Administratës Publike dhe Pushteti Lokale Mahir Jagxhillar  paralajmëroi heqjen e pushimit për Ditën e Evropës- 9 Majin dhe Ditën e Kushtetutës-  9 Prillin.

Jagxhillar po ashtu kërkoi që ditët e komunitetit egjiptian, kroat dhe malazias të hyjnë në kuadrin e ditëve memoriale.

Deputetët e opozitës gjatë diskutimit për Ligjin për Festat Zyrtare kërkuan që 28 Nëntori të jetë festë zyrtare, por ata patën edhe vërejtje në  sektorin privat që sipas tyre nuk po respektojnë festat zyrtare për punëtorët e kësaj kategorie.

Ligji Nr. 03/L-064 për Festat Zyrtare në Republikën e Kosovës, precizon se cila nga ditët e punës konsiderohen si festa zyrtare për të cilat duhet pushuar.

Dita e Evropës, 9 Maji do të jetë në ditën e shtunë. Mirëpo sipas nenit 4 të këtij ligji, kur festat bien gjatë fundjavës, atëherë dita pasardhëse e punës është pushim.

11:10

Mungon Lista Serbe-Nuk Shqyrtohet Projektligji për Festa

Edhe pse sot ishte paraparë shqyrtimi i Projektligjit për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Festa, ai u tejkalua në Kuvend për shkak të mungesës së deputetëve të Listës Serbe.

Tejkalimi dhe shtyrja e shqyrtimit të këtij projektligji nuk u përmend fare nga kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, por sqarime për këtë shmangie kërkoi deputetja e “Vetëvendosjes” Albulena Haxhiu.

“Duhet të dihet kush po e përcakton agjendën e Kuvendit”, tha Haxhiu.

Fjalëve të deputetes iu përgjigj kryekuvendari Veseli.

Veseli sqaroi se në bazë të nenit 81 të Kushtetutës ku përcaktohen ligjet me interes vital, për ligje të tilla duhet të votojnë shumica e deputetëve dhe shumica e deputetëve të komuniteteve që kanë vende të garantuar.

Veseli më tutje tha se shqyrtimi i Projektligjit për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Festa u tejkalua ngase sot në Kuvend mungojnë deputetët e Listës Serbe.

Në Kosovë aktualisht janë 11 festa zyrtare dhe tetë ditë memoriale të komuniteteve.

Me ligjin në fuqi për festa, nëse një festë zyrtare bie në ditë vikendi, për të duhet pushuar në ditën e parë vijuese të punës.

Këtë praktikë po synon ta ndryshojë projektligji që ishte paraparë të shqyrtohej sot.