Pritja e Kriminelit të Luftës, Mesazh i Keq për Viktimat dhe Pajtimin

Pritja prej heroi që iu bë nga qeveritarët dhe klerikët fetarë serbë ish- oficerit të Ushtrisë Jugosllave Vladimir Lazereviq i dënuar për krime luftë në Kosovë u kritikua ashpër në Kosovë.

Në mesin e atyre që nderuan kriminelin serb, ishte edhe Peshkopi i Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë, Teodosije i cili kishte udhëtuar në Serbi për ta pritur Lazareviqin së bashku me zyrtarët e lartë serbë.

Në Kosovë kritikohet shkuarja e Peshkopit serb duke thënë se kjo e vërteton që Kisha Ortodokse Serbe po ndjek politikën e Serbisë.

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Petrit Selimi, pati keqardhje për këtë veprim të qeverisë dhe Kishës serbe.

“Më vjen keq që po e shoh Peshkopin Teodosije i cili shërben në Kosovë, duke i përshëndetur shumë e ngrohtë kriminelët serbë të luftës të cilët janë dënuar për krime kundër njerëzimit në Kosovë”, tha Selimi për KALLXO.com.

Ndërsa nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Driton Çaushi tha se pritja e kriminelit serb nga qeveria e Serbisë tregon fytyrën e vërtet të këtij shteti.

“Kjo është fytyra e vërtetë e shtetit serb. Ky është shteti para të cilit nënshtrohen pushtetarët tonë, edhe nëse kjo nënkupton shtypjen e opozitës dhe shitjen e interesave kombëtare”, theksoi Çaushi.

Përveç politikës kosovare, reagime të ashpra patën edhe bashkësitë fetare në Kosovë.

Zyrtari për Informim në Bashkësinë Islame të Kosovës, Ahmet Sadriu tha se shkuarja e Teodosijes në Serbi tregon vazhdimin e politikës së Serbisë nga ana e kishës ortodokse.

“Kjo është çështje politike. Nuk është mirë, ajo është çështje fatkeqësisht është vazhdimësi e asaj politike që ka ndjekur edhe në të kaluarën kisha . Ne nuk do të kishim dëshirë të ndodhte për shkak të raporteve që duhet të jenë, të jetë një atmosferë për të ardhmen e tolerancës për të gjitha komunitetet. Andaj nuk e shohim me sy të mirë, nuk tingëllon diçka e mirë”, tha Sadriu për KALLXO.com.

Ai konsideron se veprimi e peshkopit serb do të reflektojë negativisht te një popullatë e cila, sipas tij, ka ende plagët e hapura nga lufta e fundit në Kosovë.

“Kur ne kemi dëshirë t’i harrojmë ato edhe të kultivojmë një bashkëjetesë me të gjitha komunitetet në Kosovë, ky veprim i tij reflekton keq”, tha Sadriu.

Edhe drejtori për Kosovën i Fondit për të Drejtën Humanitare, Bekim Blakaj, tha për KALLXO.com se shkuarja e peshkopit serb Teodosije në këtë pritje tregon qëndrimin e krejt Kishës Ortodokse Serbe.

“Pritja e Lazareviqit dhe udhëtimi i tij prej Hagës me aeroplan zyrtar serb, qeveritar, tregon që Serbia nuk është ndarë nga e kaluara. Ka pasur zyrtarë të nivelit të lartë politik që e kanë pritur e sidomos ka qenë Shefi i Shtabit të Ushtrisë Serbe i cili gjithashtu dyshohet që ka bërë krime lufte”, tha Blakaj.

Sipas tij, këto veprime tregojnë që Serbia nuk është shkëputur nga e kaluara e tyre.

“Mendoj që kjo përcjell një mesazh jo të mirë edhe në shtetet e tjera fqinje të rajonit, e sidomos në Kosovë dhe nuk është një hap që ndihmon në pajtimin e mundshëm mes Serbisë dhe Kosovës”, theksoi Blakaj.

Në vitin 2014, dënimi i Lazareviqit u ul nga 15 në 14 vjet burg në një seancë apeli, e cila rishqyrtoi dënimin e tij për krime kundër njerëzimit gjatë luftës në Kosovë në vitin 1999.

Sipas vendimit, Lazareviq ndihmoi dhe mori pjesë në dëbimin e shqiptarëve nga Kosova dhe kreu vepra të tjera çnjerëzore duke siguruar ndihmë praktike për anëtarët e Ushtrisë Jugosllave.

Si rezultat, rreth 11,000 shqiptarë të Kosovës u vranë dhe rreth 700,000 u dëbuan në shtetet fqinje si Shqipëri, Mal i Zi dhe Maqedoni.

Gjykata vendosi se Lazareviq ishte në dijeni të faktit se në Kosovë po kryheshin akte çnjerëzore kundër civilëve dhe pronës civile gjatë operacioneve të Ushtrisë Jugosllave dhe atyre të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Në të njëjtën çështje, ish zëvendës kryeministri i Jugosllavisë Nikola Sainoviq u dënua me 18 vjet burg, ish-shefi i shtabit të Ushtrisë Jugosllave Dragoljub Ojdaniq me 15 vjet burg, ish-komandanti i Ushtrisë Jugosllave Nebojsa Pavkoviq me 22 vjet burg dhe Sreten Lukiq, kreu i forcave policore të Serbisë në Kosovë me 20 vjet burg.

Vetëm Pavkoviq dhe Lukiq janë ende në burg. Si Ojdaniq dhe Sainoviq kanë marrë lirim të parakohshëm dhe që atëherë jetojnë në Beograd.