Prishtina Alarmohet për Fatkeqësi nga Gjashtë Pika

Në orën 13 e 15 minuta sirenat e alarmit që lajmërojnë simulimin e një fatkeqësie natyrore pritet të dëgjohen anembanë kryeqytetit. Alarmi do të aktivizohet pas thirrjes islame për lutje të drekës që të mos përzihen tingujt. Komuna kështu do ta testojë sistemin publik të alarmit.

Komuna e Prishtinës në orën 13 e 15 do të simulojë alarmimin e qytetarëve për një fatkeqësi natyrore.

Me këtë veprim që do të zgjasë 60 sekonda pushteti lokal i kryeqytetit do të testojë sistemin publik të alarmit.

Ibush Kelmendi, shefi i Sektorit për Mbrojtje dhe Shpëtim në Komunën e Prishtinës thotë për KALLXO.com se planifikohet të lëshohen dy alarme njëminutëshe në intervale të ndryshme kohore.

“I pari do të jetë më ton vajtues i cili do të  njoftojë për fatkeqësinë, kurse I dyti do të jetë fishkëllues që do të tregojë se fatkeqësia ka kaluar”, thotë Kelmendi.

Të njëjtën gjë e njofton edhe komunikata e komunës e lëshuar të premten.

Drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim bën me dije se alarmi do të përhapet në kryeqytet nga gjashtë pika alarmuese, kryesorja e të cilave do të jetë e vendosur në ndërtesën e ish-Rilindjes, e cila tash shfrytëzohet nga Qeveria e Kosovës.

Pikat tjera alarmuese do të jenë te gjykata komunale në “Ulpianë”, shkolla fillore “Ismail Qemali” në “Breg të Diellit”, shkolla e gjelbër te Hani i Dilit, shkolla fillore “Asim Vokshi” në “Kodër të Trimave” dhe “Naim Frashëri” në qendër.