Ish-ministri i Qeverisë së Kosovës, Aleksandar Jabllanoviq

Presidentja Do të Dalë me Propozimin e Vet Brenda 48 Orëve, thotë Jabllanoviq

Drejtuesi i Listës Serbe, Aleksandar Jabllanoviq, ka thënë pas takimit me Presidenten Atifete Jahjaga se pret që brenda 48 orëve kjo e fundit të dalë me një propozim se si të dilet nga bllokada institucionale që ka kapluar Kosovën tash e tre muaj.

Jabllanoviq është shprehur se subjekti i tij politik është i gatshëm ta mbështesë kandidatin e PDK-së për kryetar të Kuvendit nëse kjo parti i siguron 52 vota në Kuvend.

PDK në zgjedhjet e kaluara mori 37 ulëse në Kuvend, ndërsa kandidati i saj për kryetar të Kuvendit në seancën e 12 shtatorit, Arsim Bajrami mori 44 vota në favor, ndërsa 61 deputetë i pati kundër.

Në atë seanca, 11 deputetë abstenuan.

“Presim propozim konkret brenda 48 orëve nga ana e presidentes”, tha Aleksandar Jabllanoviq.

“Përderisa opsioni në të cilin PDK që ka 37 deputetë i siguron 52 vota, ajo mund të llogarisë në votat e Listës Serbe në mënyrë që të mos frenohet më tutje formimi i institucioneve”, u shpreh Jabllanoviq.