Presidentja Dënon Sulmin me Vezë ndaj Kryeministrit

Me anë të një deklarate presidentja Jahjaga dënoi sulmin e sotëm ndaj kryeministrit në seancën e Kuvendit.

Jahjaga sulmin me vezë nga disa deputetë të “Vetëvendosjes” e AAK-së e quan të papranueshëm.

“[Sulmi është] në kundërshtim me frymën e demokracisë së mirëfilltë, me përpjekjet tona për të fuqizuar institucionet e Republikës së Kosovës dhe vlerat që po i ndërtojmë,” thuhet në deklaratën e lëshuar nga Departamenti i Informacionit dhe Komunikimit me Publikun në Presidencë.

“Akte të tilla të shëmtuara e vështirësojnë diskutimin e mirëfilltë publik dhe zbehin besimin e qytetarëve në institucionet e vendit,” vijon deklarata.

Presidentja në fund kërkon nga “deputetët dhe subjektet politike që t’i respektojnë institucionet e vendit ku përfaqësohet vullneti i popullit, të denoncojnë dhunën dhe që mospajtimet politike t’i shprehin përmes rrugëve institucionale në respektim të plotë të parimeve të demokracisë”.

KALLXO.com solli xhirime nga sulmi i sotëm ndaj kryeministrit, teksa ai po raportonte për marrëveshjet me Serbinë të nënshkruara më 25 gusht në Bruksel.