Portali Kroat Mund të Dënohet Pasi Publikoi Ekzekutimin e Gazetarit Amerikan

Portali kroat i lajmeve Dalmacija News rrezikon që të gjobitet ndërmjet 13.300 dhe 133.000 euro, ose edhe ta mbyllë sajtin në tërësi, pasi tregoi videon shokuese të ekzekutimit të gazetarit të kidnapuar amerikan, James Foley.

Të martën, ky portal publikoi të plotë dhe pa asnjë editim videon e ekzekutimit të Foley-t nga duart e luftëtarëve të ISIS, një nga të cilët fliste me theks britanik.

Video tregon ekzekutimin në tërësi dhe trupat pa kokë të viktimave tjera, disa nga të cilët janë fëmijë.

Asociacioni i Gazetarëve të Kroacisë, HND, e akuzoi sajtin pak të njohur në vend për sensacionalizëm.

HND theksoi se edhe pse ISIS e postoi videon në internet, asnjë nga mediat ndërkombëtare nuk e publikuan atë. Shoqata e quajti këtë akt si “jo-etik dhe jo-profesional”.

Këshilli Kroat për Mediat Elektronike, rregullator shtetëror përgjegjës për faqet e internetit, ndërkohë, tha se po e shqyrton mundësinë që ta lëshojë një paralajmërim për Dalmacija Neës se mund ta ketë shkelur ligjin për mediat elektronike.

Ky ligj e ndalon publikimin e skenave të dhunshme pa paralajmërim se materialet janë shqetësuese dhe nuk guxojën të shikohen nga fëmijët.

Nënkryetari i këtij këshilli, Damir Hajduk, tha se ky organ do ta adresojë së shpejti këtë cëshje në një nga mbledhjet e ardhshme.

Hajduk tha se në teori gjykatat mund ta gjobisin portalin deri në 133.000 euro, apo edhe ta mbyllë këtë portal për shkelje të ligjit.

Anëtarja e këshillit, Snezhana Kunac, tha për BIRN se këshilli punon si organ rregullues dhe nuk ka përgjegjësi për të lëshuar gjoba apo dënime.

Por Kunac tha se rasti mund të referohet në gjykatë, e cila mund ë lëshojë sanksione.

Në praktikë, dënimet dhe gjobat ndaj web- sajteve janë të rralla në Kroaci.

Kur web-sajti i të djathtëve ekstremë kroatë Dnevno.hr publikoi në prill të këtij viti një listë të lokaleve dhe kompanive me pronësi të serbëve në qytetin lindor të Vukovarit për të cilat tha se duhet të bojkotohen nga kroatët, Këshilli lëshoi një vërejtje ndaj këtij sajti.

Përkundër kësaj, sajti së fundi pranoi një grant prej 32 mijë eurosh nga qyteti i Zagrebit.