Policia Parandalon Zjarrin në Objektin Banesor në Pejë

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka arritur të bëjë parandalimin e zjarrit në një objekt banesor në rrugën “Lekë Dukagjini” në Pejë, përderisa ka arrestuar një të dyshuar 32 vjeçar për këtë akt.

Ngjarja kishte ndodhur të shtunën rreth orës 22:10 ndërsa i dyshuari E.K. (1983) është ndaluar për 48 orë dhe ka dalë para gjykatës e cila i ka caktuar masën 30 ditëshe të paraburgimit.

“Ishte reagimi i njësiteve policore që ka bërë parandalimin e një zjarrvënieje në një objekt banimi (banesë) në rrugën “Lekë Dukagjini” në Pejë. Këto njësite policore së bashku me qytetarët, kanë parandaluar edhe humbje të jetëve të personave që ishin në atë kohë në atë objekt banimi. Pas shuarjes së zjarrit, është arritur të identifikohet dhe menjëherë të arrestohet i dyshimti”, tha për KALLXO.com Teki Syla, zyrtar për informim në Policinë rajonale të Pejës.

Në përgjigjet për KALLXO.com, Policia në Pejë njofton së kohëve të fundit ka arritur të konfiskojë 7 armë pa leje.

“Policia e Kosovës në zonën e Pejës në vazhdën e punëve dhe detyrave policore, gjatë implementimit te planeve operative, ka arritur të kapë shtatë armë zjarri të llojeve dhe kalibrave te ndryshëm dhe municion. Ky rezultat ishte falë punës dhe reagimit profesional të njësiteve policore në Stacionin Policor të Pejës”, tha zëdhënësi Teki Syla.

Policia gjithashtu ka bërë të ditur se ka një plan veprimi të quajtur “Parandalim” i cili është në fazën e tretë të realizimit dhe i cili, sipas Sylës, ka ndikuar në rënien e veprave kriminale në rajonin e Pejës pasi që janë shtuar patrullat policore, janë konfiskuar armë dhe janë bërë bastisje të ndryshme.

Në shtatë muajt e parë të këtij viti në rajonin e Pejës nuk ka ndodhur asnjë vrasje dhe kjo ka bërë që gjendja e sigurisë të vlerësohet shumë më e mirë, në krahasim me vitet e kaluara.