Policia Kap të Dyshuarit për Vjedhje të Pompave të Ujit

Policia e Klinës arrestoi tre persona që dyshohen se në një lokal të nyjave sanitare për ujësjellës vodhën 11 pompa të ujit. Vlera e tyre konsiderohet të jetë 3 mijë euro, ndërsa ato u janë konfiskuar grabitësve për t’iu kthyer pronarit.

Policia u njoftua të shtunën për këtë vjedhje të rëndë që ndodhi në Rrugën “Skender Rexhepi” të Klinës te lokali “Hidro-Fati”.

Sipas zëdhënësit të Policisë Rajonale të Pejës Xhevat Ibraj, forcat e rendit pas daljes në vendin e ngjarjes kanë nisur hetimet intensive që përfunduan me sukses.

“Hetuesit te parku i qytetit te ‘Malishgani’ kanë vërejtur dy të dyshuar së bashku me një veturë të tipit ‘Mercedes’… ka rezultuar se vetura ishte me targa të keqpërdorura dhe ishte pa regjistrim dhe menjëherë e njëjta është konfiskuar nga zyrtarët policorë”, ka thënë Ibraj.

Të dyshuarve më pas u ishin konfiskuar edhe pompat e ujit.

“Në një shkurre të dyshuarit i kishin fshehur 11 copë pompa uji. Të njëjtat janë tërhequr nga vendi i ngjarjes dhe me urdhër të prokurorit të shtetit i janë kthyer pronarit F. K.”, shpjegoi Ibraj.

Për këtë rast janë arrestuar tre persona, ndërsa dyve nga ta me inicialet A.K dhe Sh. R. me urdhër të prokurorit u është caktuar masa e ndalimit prej 24 orësh.