Polici Malazez i Akuzuar për Deportim Kompensohet me 87 Mijë Euro

Mali i Zi do të duhet t’i paguajë 87,000 euro një ish-polici për arrestim të paligjshëm pasi ai u lirua nga akuzat për krime lufte për ndalim dhe dëbim të refugjatëve boshnjakë në vitin 1992.

Një gjykatë ditën e mërkurë vendosi se shteti i Malit të Zi duhet t’i paguajë një kompensim një ish-oficeri policie, Branko Bujic, i cili kaloi në mënyrë të paligjshme dy vjet në paraburgim, ndërsa akuzohej për krime lufte të kryera në Mal të Zi në vitin 1992.

Raportet e medias thanë se ndërsa përfaqësuesit ligjorë Bujicit kërkuan një kopmensim prej 220,000 eurosh, gjykata caktoi një shumë më të ulët prej 87,000 euro për heqjen e lirisë.

“Dëmi i shkaktuar Bujici është edhe më i madh për shkak të faktit se ai ishte një punonjës publik, një qytetar i respektuar dhe njeri i ndershëm,” tha e përditshmja “Dan”, duke cituar kompensimin e dhënë.

Buijc ishte një nga nëntë policët e akuzuar për arrestim dhe dëbim të paligjshëm të refugjatëve boshnjakë dhe serbëve të Bosnjes nga Mali i Zi drejt entitetit serb të Bosnjes në maj të vitit 1992.

Shumica e refugjatëve të ndaluar u sollën në qendrën e sigurisë Herceg Novi, prej nga u dëbuan me autobusë më 25 dhe 27 maj 1992.

Pas dëbimeve, shumica e boshnjakëve u vranë dhe eshtrat e tyre nuk janë gjetur ende.

Në qershor të vitit 2013, gjykata malazeze e apelit konfirmoi lirimin e nëntë ish-policëve, pas një vendimi të ngjashëm të nëntorit 2012, i cili arriti gjithashtu në përfundimin se policët nuk mund të mbahen përgjegjës për kryerjen e një krimi lufte.

Në shtatë çështjet që vazhdojnë ende kundër shtetit për kompensim për privimin të paligjshëm të lirisë, oficerët e policisë kanë hedhur në gjyq Malin e Zi për më shumë se një milion euro në total.