Platforma Elektronike për Ankesat e të Rinjve i Kalon Avokatit të Popullit

Të rinjtë kosovarë nga mosha 16 deri në moshën 29 vjeçare mund të adresojnë ankesat online, nëse dyshojnë se u janë shkelur të drejtat, tashmë pranë Avokatit të Popullit.

Që nga sot, platforma digjitale “Njih të drejtat tua” (Know your rights) menaxhohet nga Institucioni i Avokatit të Popullit (IAP).

Joshua Harvey, kryesues i Innovations Lab tha se qëllimi i kësaj platforme është që të rinjtë të informohen për të drejtat e tyre dhe të dinë të jenë avokatë të vetes.

“Vetë të rinjtë duhen të jenë në gjendje t’i kuptojnë të drejtat e tyre, ata duhet të jenë avokatët kryesorë të vetvetes, ata duhet të dinë çfarë të drejtash kanë dhe të jenë në gjendje t’i mbrojnë ato të drejta”, tha Harvey.

Igballe Rrahmani, këshilltare e lartë e IAP, tha se është duke u bërë një punë e madhe në promovimin e kësaj platforme tek nxënësit e shkollave të mesme dhe atyre të larta në Kosovë.

“Është kënaqësi për ne që të administrojmë, por njëkohësisht është përgjegjësi që ne të vazhdojmë aktivitetet që platforma të shkojë tek të rinjtë në mënyrë që ata të kenë mundësinë të njoftohen me të drejtat e tyre”, tha Rrahmani.

Kjo platformë mund të shkarkohet edhe si aplikacion në telefonat e mençur, çka është mundësuar nga kompania vendore Appsix.