Përgjaket Ferizaj, Polici Plagos Tre Persona, Lëndohen dy Policë

Ferizaj është përgjakur mbrëmjen e së hënës pas konflikteve mes zyrtarëve të policisë dhe një grupi personash.

KALLXO.com mëson se tre persona u plagosën në përleshjen që një rreshter i policisë nga Lypjani pati para një kafeterie në fshatin Prelez.

Pak kohë më vonë dy pjesëtarë të Policisë së Kosovës të cilët ishin thirrur për ta hetuar ngjarjen u sulmuan në ambientet e spitalit të Ferizajt ku ishin duke u kuruar të plagosurit e incidentit të Prelezit.

Burime zyrtare të policisë thanë për KALLXO.com se rreshteri nga Lypjani dyshohet se qëlloi me armë  në drejtim të disa personave me të cilët kishte pasur konflikt disa ditë më parë.

“Janë tre persona të plagosur, incidenti ka ndodhur në fshatin Prelez para një kafeterie, me rastin është duke u marrë Inspektorati Policor i Kosovës”, ka thënë Major Basri Shabani, zëvendës Drejtor i Policisë në Ferizaj.

Shabani ka konfirmuar se policia ka disa informacione se eprori i policisë i cili në momentin e incidentit ka qenë jashtë detyrës zyrtare ka pasur probleme me personat e plagosur disa ditë para incidentit.

Sipas Shabanit incidenti është pasuar me një ngjarje tjetër në spitalin e Ferizajt.

“Dy policët të cilët kanë qenë në detyrë dhe të cilët kanë shkuar në spital ku ndodheshin të plagosurit janë sulmuar nga familjarë të të plagosurve”, ka thënë Majori Shabani.