Përfundon Takimi Maratonik në UP, Këshilli Mblidhet të Mërkurën

Ka përfunduar pas gati nëntë orë diskutime mbledhja e përbashkët e Senatit dhe Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Pjesëmarrësit në këtë mbledhje thanë se nuk është marrë vendim për fatin e mëtejmë të rektorit Ramadan Zejnullahu në krye të këtij institucioni ndërsa një anëtar i Këshillit Drejtues tha se ky organ do të mblidhet të mërkurën për t’i shqyrtuar faktet e paraqitura nga palët.

Anëtari i Këshillit Drejtues të UP-së, Ismet Salihu, paralajmëroi një mbledhje të Këshillit për pasnesër, pa folur nëse në të pritet të vendoset për kërkesën e disa senatorëve për shkarkim të rektorit.

Ndërsa kryesuesja e Këshillit Drejtues, Shefkije Islamaj, tha se në këtë takim janë dëgjuar të dy palët, edhe Senati edhe menaxhmenti i UP-së, rreth kërkesës së senatorëve.

“Konsideroj që ky takim u zhvillua më frymë shumë konstruktive dhe shumë kolegiale ku u shpalosën shumë çështje. KD pati mundësinë t’i dëgjojë për së afërmi të gjitha ato shqetësime që kanë pasur menaxhmenti me senatin”, tha Islamaj.

Ajo tha se gjatë takimit janë dëgjuar shqetësime që kanë të bëjnë me avancimet, infrastrukturën, afatet e provimeve dhe çështje tjera,

“Kjo nuk ka qenë mbledhje që merren vendime, por më suaza të bashkëbisedimit. Asnjë vendim nuk është marrë dhe unë nuk do ta paragjykoj vendimin”, u shpreh Islamaj.

Por rektori Zejnullahu ka dalë nga ky takim pa ndonjë optimizëm për zgjidhjen e shpejtë të problemeve në Universitetin që e drejton tash e 1 muaj.

“Ky debat nxori në shesh një mal problemesh me të cilat ballafaqohet universiteti dhe secili prej nesh e kuptuam në fund që nëse do të ketë mundësi që ato të zgjidhen në 10 vjeçarin e ardhshëm secili, nga ne do të jetë i lumtur. Ajo që më së shumti është brengosëse është dëshira duam t’i zgjidhim apo jo”, tha rektori Zejnullahu.

Mbledhja e sotme filloi me një vendim kontrovers të marrë pas një votimi që mediat të largohen nga salla ku po mbahej takimi.

Rektori e kritikoi këtë vendim.

“Mosprania e mediave tregon anën e vet të veprimit për çka mua më vjen shumë keq e unë do të vazhdoj të ndjek procedurat ligjore të cilat i përcakton Këshilli Drejtues”, tha ai.