Përfundoi Rinumërimi i Kutive të Votimit

Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve ka përfunduar rinimërimi i 51 kutive të votimit.

Gazetari i KALLXO.com nga QNR raporton se procesi i nisur sot rreth mesditës ka përfunduar rreth orës 16:30.

Për rinumërimin e këtyre kutive të votimit urdhëroi sot KQZ sepse PZAP kishte gjetur parregullsi pas ankesave të bëra nga disa kandidatë që kanë qenë në garë në zgjedhjet e parakoshme parlamentare të 8 qershorit.

Filloi Rinumërimi në QNR

14:33

Pak orë pasi kanë marrë urdhrin për rinumërim të 51 kutive të votimit, stafi i Qendrës së Numërimit dhe rezultateve (QNR) ka filluar procesin e rinumërimit, i cili pritet të kryhet brenda ditës.

Zëvendës Koordinatori i QNR-së, Arbër Salihu, tha për KALLXO.com se ekipet janë duke bërë rinumërimin e kutive për të cilat një ditë më parë ishte vendosur nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, pas ankesave të marra nga kandidatët.

“Kutitë janë duke u rinumëruar dhe pritet që ky proces të përfundojë sot rreth orës 15:30”, tha Salihu.

Të pranishëm në QNR janë edhe vëzhgues nga partitë politike të cilët po vëzhgojnë këtë proces.

Pas rinumërimit, rezultatet e dala do të futen në sistem dhe do t’i dërgohen KQZ-së për ta bërë certifikimin e tyre.

KALLXO.com posedon listën e kutive të votimit që do të rinumërohen në të cilën shihet se nga 24 ankesat e parashtruara, 14 i përkasin kandidatëve për deputetë nga LDK, 8 nga NISMA, një vjen nga një kandidat i PDK-së dhe një tjetër nga AKR.