Përditësuar: Beg Rizaj u Varros në Gllogjan

Pas lamtumirës ceremoniale të mbajtur në Deçan dhe udhëtimit të kolonës drejt Gllogjanit, arkivoli me trupin e Beg Rizaj u vendos përfundimisht në varrezat e dëshmorëve.

Beg Rizaj ishte një ndër të kosovarët e vrarë në luftimet në “Lagjen e Trimave” në Kumanovë, ku një grup shqiptarësh të armatosur u rrethuan nga forcat e sigurisë së Maqedonisë.

15:00

Arkivoli i Beg Rizaj ka nisur udhëtimin e fundit drejt varrezave të dëshmorëve në Gllogjan.

Më parë gjatë ditës, kufoma e Beg Rizaj u prit me nderime në Deçan. Arkivoli u shoqërua nga ushtarakë të veshur me uniforma të UÇK-së dhe u vendos në Pallatin e Kulturës ku u mbajt ceremonia solemne e lamtumirës.

Për t’i dhënë lamtumirën e fundit ishin mbledhur edhe mijëra qytetarë, ndërsa kishte edhe personazhe publike dhe përfaqësues partiakë.

Në nder të Rizaj mbajtën fjalime ish-luftëtarë dhe komandantë të UÇK, si dhe kryetari i Komunës.

Deçani ishte mbushur plot nga vizitorët, të cilët tashmë janë drejtuar në kolonën e automjeteve që shkon drejt Gllogjanit.