Për t’u Bërë Drejtor Financiar, Mashtroi Sistemin e Drejtësisë (TV)
Financat e Ujësjellësi regjional të Mitrovicës po vazhdojnë të udhëhiqen nga një drejtor i cili është i akuzuar për korrupsion.
Vehbi Braha deri në vitin 2009 kishte drejtuar financat e ujësjellësit të Mitrovicës. Ai akuzohet se gjatë kësaj kohe, kishte përvetësuar para. Me dëshirën e tij ishte larguar për t’u kthyer përsëri si drejtor katër vite më vonë, në vitin 2013-të, kur ujësjellësi hapi konkurs për pranimin e një drejtori të ri financiar.
Në këtë konkurs, një nga kushtet kryesore ishte që kandidati të mos ishte i dënuar apo duke u ndjekur penalisht. Vehbi Braha siguroi certifikatën mirëpo e ndërroi edhe vendbanimin, duke e vënë në lajthitje edhe tërë sistemin e drejtësisë në vend.
Braha certifikatën e kishte marrë në Gjykatë e Prishtinës dhe jo në Gjykatën e Mitrovicës ku edhe do i figuronte se është nën akuzë.
“Njëri nga dokumentet e kërkuar me konkurs për t’u punësuar ka qenë edhe certifikata se nuk jeni nën hetime. Unë atë e kam marrë në institucionet e Kosovës ku merret ajo, pranë organeve kompetente”, theksoi Braha.
Faruk Hajrizi, kryeshef i Ujësjellësit Regjional të Mitrovicës, njëherit edhe anëtar i bordit në këtë institucion theksoi së bordi ku edhe ai është anëtar e ka pranuar Brahën përsëri si drejtor.
“Vehbi Braha ka punu deri ne vitin 2009 në ujësjellës dhe është kthyer prapë. Bordi ka vendosur që ky të kthehet, është çështje e bordit . Unë kam dëgjuar vetëm fjalë së ky është i akuzuar po nuk i kam parë dokumentet”, thekso Hajrizi.
Se Vehbi Braha ka aktakuzë këtë e konfirmoi kryetarja e Gjykatës Themelore të Mitrovicës, Kada Bunjaku Përquku.
“Në bazë të regjistrit të lëndëve të pakryera kam informata së ekziston një lëndë për personin në fjalë dhe është ngritur aktakuzë me datën 28. 10. 2005 në ish Gjykatën e Qarkut ne Mitrovicë. Në aktakuzë janë edhe pesë persona të tjerë dhe janë të akuzuar për veprën penale të shpërdorimit të pozitës zyrtare”, ka theksuar Bunjaku-Përquku.