Për Studentët e Kategorive të Luftës Diskuton Senati i UP-së

Vendimi që mos të pranohen listat e shoqatave të dala nga lufta me emrat e familjarëve të kësaj kategorie për t’u regjistruar në Universitetin  Prishtinës i ka shqetësuar këta të fundit. Ata janë ankuar te rektori Ramadan Zejnullahu, i cili u ka dhënë premtimin se për ketë çështje do të diskutohet në Senat këtë të enjte.

Shoqata e Veteranëve të Luftës e cila e vetme i ka dërguar 600 emra në Rektorat, ankohet se brucoshëve të këtyre kategorive është duke iu bërë padrejtësi.

Faton Klinaku, nënkryetar i organizatës, ankohet se me këtë veprim të UP-së po u mohohet e drejta për të studiuar familjarëve të kategorive të luftës.

“Këtë të drejtë nuk mund të na e mohojë askush, e sidomos kësaj pjese të ndjeshme të shoqërisë”, ka thënë Klinaku.

Mes Universitetit të Prishtinës dhe shoqatave të dala nga lufta është nënshkruar një memorandum bashkëpunimi  në vitin 2009 me të cilin u lejohej familjarëve të kësaj kategorie regjistrimi në UP, edhe nëse këta të fundit nuk e kalonin provimin pranues.

Për të gjetur marrëveshje për këtë çështje është zhvilluar edhe një takim mes Klinakut nga Shoqata e Veteranëve të Luftës dhe rektorit Zejnullahu.

Klinaku thotë të ketë kërkuar nga rektori që memorandumi i nënshkruar mes tyre të respektohet edhe për këtë vit akademik.

“Kërkova që edhe këtë vit të regjistrohen këta studentë nëpërmjet listave, ndërsa vitin tjetër të shikohet ndonjë mundësi tjetër e zgjedhjes së problemit”, ka thënë Klinaku. Ai thotë të ketë marrë premtim nga Zejnullahu se për këtë çështje do të diskutohet të enjten në mbledhjen e Senatit.

Këtë e ka konfirmuar edhe këshilltari i rektorit Zejnullahu, Adem Beha.

“Të enjten do të diskutohet për çështjen e listave që kanë ardhur nga shoqatat e dala nga lufta për pranimin e studentëve”, ka thënë Beha, duke mos dashur të komentojë më shumë.

Mbi 600 emra kanë ardhur në Rektorat nga këto shoqata për t’u pranuar në Universitetin e  Prishtinës, ndonëse nuk e kanë kaluar provimin pranues.

Për këtë vit akademik rektori Zejnullahu ka vendosur që të ketë lehtësira vetëm për familjarët e dëshmorëve të luftës, përkatësisht për bashkëshortin/en dhe fëmijët e dëshmorëve duke i dhënë për ta pesë pikë bonus në provimin pranues.

Gazeta Jeta në Kosovë kishte raportuar vitin e kaluar se si qindra persona kishin marrë statusin e studentit të UP-së, ndonëse nuk e kishin kaluar provimin pranues.

Praktika e regjistrimit të familjarëve në Universitetin e Prishtinës jashtë konkursit të rregullt është zbatuar që nga paslufta nëpërmjet një memorandumi.

Zbatimi i tillë ishte ndërprerë vetëm gjatë periudhës 2007-2009, por është vënë sërish në jetë, me t’u bërë rektor Mujë Rugova në korrik të vitit 2009.

Ai kishte firmosur më 2009 memorandumin e bashkëpunimit me tri organizatat e dala nga lufta: Shoqatën e Invalidëve të Luftës së UÇK-së, Organizatën e Veteranëve të Luftës dhe Shoqatën e Familjarëve të Dëshmorëve të UÇK-së. Memorandumi nuk ishte kufizuar vetëm në qëllimin për krijimin e lehtësive për studime për familjarët e këtyre kategorive.