PDK dhe Agim Bahtiri Vazhdojnë Akuzat

Dega e Partisë Demokratike të Kosovës në Mitrovicë, ka akuzuar sot kryetarin e komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri se “po i gënjen qytetarët” në këtë komunë.

Zëdhënësi i kësaj dege, Mehdi Haxha, në një konferencë për shtyp, tha se komuna e drejtuar nga Agim Bahtiri i AKR-së që është në koalicion me LDK-në nuk ka përmbushur planin e investimeve për vitin e kaluar.

“Sipas shënimeve zyrtare për dinamikën e realizimit të buxhetit për investime komunale në vitin 2014, del në shesh një abuzim i tmerrshëm me buxhetin. Sipas pasqyrave të shpenzimit të buxhetit që gjenden në ëebfaqen e Komunës së Mitrovicës, deri në muajin qershor të vitit 2014 janë realizuar 6.14 përqind të buxhetit për investime kapitale, mandej deri në muajin shtator 9.28,  ndërsa vetëm në dhjetor 72.0 përqind”, tha Haxha.

Sipas tij, këto të dhëna zyrtare të Komunës së Mitrovicës janë “pasqyra më e mirë e këtij pushteti dështakësh dhe e këtij kryetari mashtrues dhe të paditur”.

“Fjalët e mëdha dhe të zbrazura të Agim Bahtirit dhe të vartësve të tij përgenjështrohen nga të dhënat e komunës që ai udhëheq”, tha Haxha.

Por i kontaktuar nga KALLXO.com, Agim Bahtiri hodhi poshtë akuzat e PDK-së duke i quajtur “të pavërteta”.

“Ata (PDK-ja) i marrin të gjitha dokumentet në komunën e Mitrovicës dhe të gjitha të kompletuara, por si opozitë që janë PDK mundet me fol çka të dojë dhe të shpif, mirëpo le ta dinë se Agim Bahtiri gjithmonë e flet të vërtetën dhe nëse kanë diçka të drejtoren tek organet e drejtësisë”, tha  Bahtiri.