Paraburgim Tre Personave nën Dyshimet për Fajde

Gjykata Themelore në Mitrovicë ua ka caktuar paraburgimin prej 30 ditësh personave me inicialet G. G, B. Z. dhe K. Z.

Paraburgimi këtyre tre personave u është caktuar nën dyshimet për fajde.

Lajmin e konfirmoi për KALLXO.com prokurorja Zejnije Kela.

“Ndaj këtyre tre personave është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditëve nën dyshimin për fajde. Ndërkaq edhe disa persona të tjerë janë në procedurë të rregullt, por vepra tjera penale si armëmbajtje pa leje, e të ngjashme,” tha Kela.

Personat të cilëve iu caktua paraburgimi u arrestuan javën e kaluar.

Edhe sot KALLXO.com shkroi për një aksion të policisë kundër të dyshuarve për fajde.

në fillim të muajit tetor, Prokuroria e Shtetit ka nisur hetimet ndaj katër të dyshuarve për fajde dhe detyrim.

Edhe gjatë muajit shtator, Policia e Kosovës ka kryer një sërë aksionesh kundër fajdexhinjve që veprojnë në Kosovë.

Po në shtator në Prizren u vra Hekuran Morina, ndërsa familjarë të tij thanë se ai ishte viktimë e fajdexhinjve.