Paraburgim për të Dyshuarit e Shantazhimit të një Vajze

Dy persona nga Bujanoci, njëri i moshës madhore dhe tjetri i mitur janë ndaluar për 48 orë nga policia në Kamenicë nën dyshimet për shantazhimin e një gjilanaseje. Ata u arrestuan sot rreth orës 17:00.

Të dy dyshohet se kishin kërkuar para nga kjo vajzë, për të mos e publikuar një video komprometuese.

Ata u kapën nga policia në momentin kur po merrnin paratë nga e shantazhuara.

“Të dyshuarit në momentin që po merrnin 500 euro në ‘Pro Credit Bank’ në Kamenicë, u arrestuan nga policia”, tha për KALLXO.com Arben Ismajli, shef i Departamentit të Përgjithshëm të Prokurorisë së Gjilanit.

Ai tregoi se kësaj vajze shantazhuesit i kishin kërkuar edhe më herët para.

“Nga vajza-e dëmtuara, kishin kërkuar para, 100 euro i kishin kërkuar para disa dite, pastaj edhe 500 euro, në të kundërtën do ta publikonin videon”, shtoi Ismajli.

Ai deklaroi se dyshimi i parë është se të ndaluarit vetë e kanë montuar këtë video-incizimin.

Të dyshuarit, sipas prokurorit Ismajli, nesër pritet të merren në pyetje. Prokurori planifikon të kërkojë paraburgim për ta.

Operacioni u krye nga hetuesit policorë të regjionit të Gjilanit.