Paraburgim për 3 nga 10 të Dyshuarit për Fajde

Në Gjykatën Themelore të Mitrovicës u është caktuar paraburgimi prej 30 ditësh 3 personave nga grupi i dhjetë të arrestuarve të mërkurën në fshatin Ropicë të Vushtrrisë nën dyshimet për fajde.

Seanca e caktimit të masës së sigurisë për të arrestuarit e djeshëm përfundoi para pak minutash.

Prokuroria kërkoi masën e paraburgimit për dhjetë të prangosurit, por trupi gjykues i drejtuar nga gjykatësja Françeska Fisher e aprovoi këtë masë vetëm për 3 prej tyre.

Shtatë të tjerët gjykata i la që të mbrohen në liri.

Këtë lajm e konfirmoi për KALLXO.com, Mahmut Halimi, njëri nga avokatët e të dyshuarve.

Të tre të paraburgosurit kanë inicialet e njëjta-A. G.

Dhjetë personat u arrestuan të mërkurën nga një operacion i përbashkët i Policisë Rajonale të Mitrovicës dhe pjesëtarëve të EULEX-it.

Sipas misionit evropian, shumica e të arrestuarve të djeshëm janë të një familjeje.