Paraburgim dhe Arrest Shtëpiak të Dyshuarve për Vrasjen e Policit

Gjykata Themelore në Prishtinë tre të dyshuarve për vrasjen  e hetuesit policor Shemsi Gashi ua caktoi sot masën e paraburgimit prej një muaji, ndërsa njërit prej tyre iu shqiptua arresti shtëpiak tridhjetëditor.

Paraburgimi iu caktua Ramadan, Mujë e Agron Gashit, ndërsa arresti shtëpiak Adonis Gashit.

Lajmin e konfirmoi për KALLXO.com Nasuf Hasani, avokati i Adonis Gashit.

Paraburgimin për katër të dyshuarit e kërkoi prokurorja Fikrije Fejzullahu.

Sot policia po për vrasjen e hetuesit arrestoi edhe dy persona tjerë.

12:08

Përfundon Seanca e Masës së Sigurisë për të Dyshuarit e Vrasjes së Policit

Ka përfunduar seanca për caktimin e masës së sigurisë kundër katër të dyshuarve për vrasjen e hetuesit policor Shemsi Gashi.

Ashtu si e konfirmoi dje për KALLXO.com, prokurorja Fikrije Fejzullahu kërkoi masën e paraburgimit për të arrestuarit e djeshëm.

Pas përfundimit të seancës gjykatësja Alltëne Murseli pritet të marrë vendim për pranimin, ose refuzimin e kërkesës së prokurores.

Gjyqtarja pastaj vendimin për caktimin e masës së sigurisë do t’ua kumtojë avokatëve të të dyshuarve.

10:10

Dalin Para Gjykatës të Dyshuarit për Vrasjen e Policit

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë nisi seanca e caktimit të masës së sigurisë ndaj katër të dyshuarve për vrasjen e Shemsi Gashit,  hetuesit policor të Njësitit për Krime Ekonomike dhe Korrupsion.

Polici hetues Shemsi Gashi u vra të mërkurën në mëngjes në Lagjen “Mati” të Prishtinës.

Zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Prishtinës Agron Borovci konfirmoi dje për KALLXO.com se për vrasjen e hetuesit policor janë ndaluar 4 persona.

Po dje prokurorja e rastit Fikrije Fejzullahu tha se e ka dorëzuar kërkesën për caktimin e masës së sigurisë për katër të arrestuarit.