Panairi “Shtëpia Ime” Promovon Idetë dhe Bizneset e Reja

Sot u hap panairi “Shtëpia Ime” i cili organizohet nga Këshilli i Rinisë Evropiane të Kosovës dhe studentët e shkencave ekonomike.

Avdullah Hasani nga Këshilli Rinor Evropian, tha se të rinjtë që kanë marrë pjesë po ashtu do të certifikohen dhe se gjatë vitit 2016 së bashku me organizatat dhe universitetet publike dhe kolegjet private do të ju ofrojmë punë praktike 1500 të rinjve.

“Problemet me luftimin e krimit të organizuar dhe me korrupsionin që i ka Kosova, nuk do të thotë që duhet ta lënë anash zhvillimin ekonomik dhe përgatitjen profesionale të të rinjve të vendit tonë”, tha Armend Zemaj, deputet i Kuvendit të Kosovës.

Në kuadër të këtij panairi të gjitha mjetet  e mbledhura do të ndahen për bursa për studentët e të gjitha universiteteve të Kosovës.

Në këtë panair po promovohen produkte të ndryshme duke filluar nga produktet ushqimore, artizanatet e deri në promovimin e produkteve elektronike.

Hafije Qyqalla, nga organizata joqeveritare ARTA tha se me artizanate merret që nga viti 1993 dhe në pamundësi të hapjes së një dyqani, kanë marrë pjesë vetëm në panaire të cilat i sheh si mundësi të mira për promovimin e kësaj pune.

“Këtë punë e bëjnë kryesisht gratë familjare dhe të mbijetuarat e luftës”, tha ajo.

Ganimete Musliu, deputete në Kuvendin e Kosovës, e cila ishte dhe pjesëmarrëse në hapjen e këtij panairi, në pyetjen se a do të kenë përkrahje nga institucionet këto organizata të cilat nuk kanë mundësi për hapjen e një dyqani dhe që të vetmen mundësi për shitjen e produketeve të tyre e kanë në panaire tha se  pjesëmarrja në panaire ka rëndësi të veçantë për të gjithë ata që duan ta promovojnë veten apo biznesin e tyre.

“Përmes këtyre panaireve, të gjithë mund ta promovojnë veten dhe idetë e tyre, pastaj ne si institucione na mbetet që idetë të cilat kanë mundësi zhvillimi, për hapje të vendeve të punës e kështu më radhë, duhet të jenë me prioritet dhe do të kenë përkrahje nga institucionet e Kosovës”, tha ajo.

Xhevrie Doroci nga Komuna e Mitrovices, pjesëmarrëse në panair, është prodhuese e produkteve të pemëve dhe perimeve.

“Që nga viti 2011 kemi një mini-fabrikë në shtëpi dhe këtë panair e shoh si mundësi të mirë për të marrë pjesë dhe për t’i shitur produktet tona”, shtoi ajo.

Ky është edicioni i dytë i këtij panairi, i cili organizohet nga të rinjtë në kuadër të programit për aftësim profesional në Kosovë.

Në këtë panair marrin pjesë rreth 40 biznese Kosovare dhe do të mbahet për tre dite rresht 12, 13 dhe 14 nëntor në Hotel Grand, ku pritet që ta vizitojnë rreth 5000 vizitorë.