Pamje nga superaksionet e Policisë së Kosovës

Vitin e kaluar një mori aksionesh rezultuan të suksesshme e madje bënë krenare Policinë e Kosovës.

Në disa nga aksionet që u vlerësuan si më të mirat në “Rubrikën Policia” i cili transmetohet në emisionin “Drejtësia në Kosovë” u shfaqën pamjet e aksioneve.

Në janar të vitit të kaluar, policia ishte mbledhur të kryente disa bastisje në disa lokacione në Prishtinë.

Cak i bastisjeve ishin disa lokale të kryeqytetit, pas një urdhëresë të Gjykatës së Prishtinës.

Aksioni i cili ishte fokusuar në kompleksin e njohur si “Llesna” në afërsi të Universitetit të Prishtinës, nën dyshimin për ushtrim të veprimtarive të kundërligjshme. Në po të njëjtin aksion kishin marrë pjesë rreth 100 zyrtarë policor.

Në po të njëjtin muaj pra në janar të vitit të kaluar, policia kishte bastisur disa lokale në Drenas.

Policia gjatë aksionit ka bastisur disa lokale ndërsa ka zbuluar dhe konfiskuar tri armë.

Kamerat kishin filmuar momente kur Njësitë Speciale zbulojnë revolet tek një person i dyshuar mosha e të cilit ishte rreth të 40-ave.

Aksionet policore ishin zhvilluar pas shtimit të incidenteve kriminale në këtë zonë. Gjithashtu gjatë të njëjtit operacion, policia kishte konfiskuar armë, thika dhe kishte arrestuar persona të ndryshëm për armëmbajtje pa leje.

Në maj të vitit të kaluar, policia ishte vënë pas një personi i cili ishte në kërkim, i cili kishte arritur të largohej nga Burgu i Lipjanit.

I njëjti dyshohej se posedonte armë dhe municone me vete. Policia kishte arritur që të lokalizonte të kërkuarin që dyshohej se gjendej në qytetin e Vushtrrisë.  Policia kishte arritur ta arrestonte të dyshuarin në një shtëpi.

Një aksion tjetër i cilësuar si më i miri për vitin e kaluar ishte edhe ai i konfiskimit të një arsenali armësh në Prishtinë.

Policia kishte marrë një informacion se në një shtëpi gjendeshin armë të shumta. Pas marrjes së këtij informacioni ishte ndërmarrë plani operativ për konfiskimin e këtyrë armëve.

Kallashnikovë, armë, granata dore e fishekë ishin gjetur në lokacionin e njëjtë ku kishte marrë policia informacionin. Në po të njëjtin aksion policia kishte përdorur edhe njësitin e qenve si dhe njësitin për bomba.

Edhe aksioni që u zhvillua në korrik të vitit të kaluar doli i suksesshëm.

Sektori i Hetimeve kishte zbuluar se një grup personash ishin duke u marrë me trafikim me armë. Në këtë operacion u kontrolluan shumë lokacione në gjashtë rajone.

Policia kishte arritur që të arrestonte personat e dyshuar. Madje në një rast, policia kap në flagrancë njërin nga të dyshuarit i cili tenton të ik nga dritarja. Armë, municion e fishekë të shumta ishin konfiskuar në po të njëjtin aksion.

Në një lokacion të po këtij operacioni ishin gjetur fishekë edhe të vendosura në blloka të ndërtimit madje edhe të vorrosura në oborre të shtëpive.