Pak Shpresë për Akreditimin e Programit të Matematikës

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ) ka dalë në përkrahje të maturantëve të cilët protestuan të mërkurën kundër vendimit të Agjencisë së Akreditimit për mos akreditim të programit të matematikës për këtë vit akademik.

Një komunikatë për media, ky këshill një vendim të tillë e cilëson si shkeljen flagrante e të drejtave të njeriut duke e fajësuar FSHMN-në, MASHT-in dhe AKA-në për sjellje të papërgjegjshme.

“KMDLNj mendon se studentët nuk duhet ta pësojnë për shkak të sjelljeve të papërgjegjshme të drejtuesve të degës së Matematikës, mos akreditimit të AKA, mos reagimit të MASHT dhe si instancë e fundit edhe Qeverisë në detyrë”, thuhet në reagimin e tyre.

KMDLNJ ka bërë thirrje që sa më shpejt ky problem të zgjidhet dhe të hapet konkurs për pranimin e studentëve të rijnë të interesuar për programin e matematikës.

Të mërkurën një grup i maturantëve që kanë dashur ta studiojnë matematikën kanë protestuar para zyrave te Agjencisë Kosovare të Akreditimit duke kërkuar që sa më shpejt të hapet një konkurs për pranimin e studentëve në këtë program.

Kësaj proteste i ka paraprirë vendimi i AKA më 2 korrik në të cilën ajo kishte akredituar programe studimesh e institucione, por jo edhe programin e Matematikës që është në kuadër të FSHMN-së.

Agjencia e Akreditimit e kishte marrë me vonesë aplikacionin për akreditim nga Departamenti i Matematikës dhe si pasojë e kësaj programi nuk është akredituar. Aplikacioni në AKA kishte shkuar një muaj para se të dalin rezultatet.

Sipas Udhëzimit Administrativ për akreditimin e institucioneve të arsimit të lartë, aplikacioni  duhet të dorëzohet të paktën një vit para datës kur pritet të fillojë procesi mësimor.

Tahir Arbneshi, dekan i Fakultetit të Shkencave Matematiko-Natyrore, thotë që është në bisedime me AKA për të zgjidhur këtë çështje sa më shpejt, por kjo e fundit nuk jep shpresa se do të mund të hapet konkurs për këtë vit akademik.

Dekani Arbneshi ka pranuar që faji qëndron tek Departamenti i Matematikës duke deklaruar që është adresuar gabimisht faji tek AKA.

“Departamenti i Matematikës ka reaguar pesë muaj me vonesë. Nuk është kjo se agjencia nuk na ka akredituar por ne nuk e kemi bërë hapin për të hyrë në proces të akreditimit për këtë vit shkollor”, ka thënë Arbneshi.

Ai thotë që është në pritje të një përgjigje nga AKA por që sipas tij nuk mund t’ia imponojë afatet ligjore agjencisë për të marrë vendime të caktuara.

“Ne shpresojmë që po , jemi duke e bërë të pamundurën që me mirëkuptimin që ka agjencia e akreditimit ndaj nesh që ta bëjë të mundshme të ketë afat për këtë vit”, ka deklaruar Arbneshi.

Në anën tjetër Ferdie Zhushi, kryetare e Agjencisë së Akreditimi ka dhënë  pak shpresa që të pranohen studentë të rijnë në programin e matematikës për këtë vit akademik. Sipas saj, agjencia mund të bëjmë vlerësim gjatë muajve të verës por vendimi për akreditim nuk mund të merret deri me 6 nëntor, ndonëse në këtë muaj viti akademik llogaritet të ketë filluar.

“Mbledhja e radhës e bordit të Këshillit Shkencor të Cilësisë është në nëntor dhe pa u aprovuar vendimi i ekspertëve të bordit nuk mund të ketë akreditim. Kjo duhet t’i bëhet e qartë institucionit”, ka thënë Zhushi.

“Absolutisht se nuk mund të hapet konkurs për një program i cili nuk është i akredituar, pasi diplomat e një programit të pa akredituar nuk janë valide”, u shpreh Zhushi.

Sipas saj, krejt çka mund të bëjnë AKA është që gjatë muajve të verës të bëjnë vlerësimin e programit, por vendimi për akreditim nuk mund të merret para datës 6 nëntor kur edhe mblidhet bordi i agjencisë.

Programi i matematikës kishte qenë i akredituar deri me 30 shtator 2014, ndërsa me vendimin e fundi ai nuk u akreditua për vitin akademik 2014/2015.