Paditësja e Bankës e Quan të Dhunshëm Largimin nga Puna

Diturie Hoxha, ish-punëtorja që ka paditur Bankën “Pro Credit” për largim të padrejtë nga puna dha në gjykatë versionin e saj.

Përveç Hoxhës dëshmuan edhe Florin Lila e Partin Halimi, ish-punonjës të kësaj banke.

Në fillim paditësja tregoi se kur nisi punën në “Pro Credit”.

“Punën ne PCB e kam filluar me 13 janar të vitit 2012 dhe jam larguar dhunshëm në gusht të po të njëjtit vit. Unë kam qenë e punësuar në cilësinë e udhëheqëses së trajnimeve në bankë. Në hierarki kjo i bie menaxhere seniore (e lartë),” tha Hoxha.

Pozitën që tha se mbante Hoxha, e konfirmoi edhe dëshmitari Florin Lila.

“Dituria është punësuar si udhëheqëse e departamentit të trajnimeve. Me sa më kujtohet kjo ka qenë pjesë e menaxhmentit senior,” tha Lila.

Paditësja tregoi se jo shumë kohë pasi që ishte punësuar në bankë, asaj i ishte kumtuar lajmi se nuk ishte e dëshiruar.

“Kam marrë telefonatë dhe më është kërkuar takim dhe në këtë takim më është thënë se ti nuk duhet të jesh më pjesë  e bankës dhe për të mos larguar nga puna po të ofrojmë një opsion tjetër që është më i mirë, jep dorëheqje dhe ne në këmbim t’i ofrojmë dy paga,” tregoi Hoxha.

Hoxha tregoi se e kishte refuzuar këtë ofertë të punëdhënësit të saj, por pastaj kishin filluar presionet.

“Kjo për mua ka qenë shumë e rëndë, kam refuzuar dhe kam thënë që kam nevojë për të menduar dhe e kam vazhduar punën, por pastaj kanë filluar presionet ekstrem të mëdha që janë bërë përmes telefonit”, vazhdoi dëshminë e saj Hoxha.

Ajo përmendi edhe një takim tjetër ku përsëri i ishte bërë presion për dorëheqje, ndërsa shttoi se pas këtij takimi e kishte të pamundur të punojë në këtë bankë.

“Pas këtij takimi unë i kam pasur të ndaluara qasjet në kompjuter, në e-mail dhe unë qysh atëherë jam konsideruar e larguar, sepse e kam pasur të pamundur të punoj,” tha paditësja Hoxha.

Dëshmitari Partin Halimi që ishte udhëheqës i sektorit të sigurisë brenda bankës, tha se kur dikush largohej nga puna ai merrte një njoftim për këtë, por në rastin e Diturie Hoxhës nuk i kujtohej të kishte marrë e-mail të tillë.

“Në rastin e Diturisë nuk mund të them 100 % se kam pranuar e-mail, por e di që kam marrë një telefonatë ku më është thënë se menaxhmenti kërkon që Diturie Hoxha të mos hyjë në objektin e bankës, pasi që nuk është më pjesë e bankës,” tregoi dëshmitari Halimi.

Ai u pyet se a mbante mend ndonjë rast tjetër kur për ndonjë largim nuk kishte marrë e-mail, por telefonatë.

“Mua më kujtohet që kam përcjellë shumë kolegë, por paraprakisht kam marrë e-mail për këtë,” u përgjigj Partin Halimi.

Kujtim Kërveshi, njëri nga avokatët e Bankës “Pro Credit” e pyeti dëshmitarin Halimi nëse ishte rregull e bankës që të pranohet e-mail informues kur dikush largohej nga puna.

“Departamenti i Burimeve Njerëzore e ka procedurë të brendshme të bankës që në momentin e largimit të ndonjë punonjësi nga puna, fillimisht duhet më shkrim të njoftojnë departamentin e IT-së që t’i ndalohet qasja virtuale dhe njëkohësisht është njoftuar edhe njësia e sigurisë,“ tha dëshmitari.

Paditësja Diturie Hoxha tregoi se para ndalimit të qasjes në kompjuter dhe e-maila, banka ia kishte ofruar një vend tjetër pune.

“Pasi që ne jemi zemërgjerë, shko në Lipjan si zyrtare për marrëdhënie me klientë,” tha Hoxha t’i kenë thënë zyrtarë të bankës, sipas saj duke ia bërë me dije se s’ka çka kërkon më në pozitën që mbante deri atëherë.

Avokati tjetër i palës së paditur Adem Vokshi e pyeti paditësen Diturie Hoxha se a e ka refuzuar ofertën për vend të ri pune.

“Në ato rrethana nuk kam mundur ta marr, por, po, mund ta konsideroni si refuzim,” tha Hoxha.

Avokati Kujtim Kërveshi e pyeti Hoxhën se a kishte pranuar ndonjë telefonatë nga Dega e “Pro Credit-it” në Lipjan për të nisur punën.

“Më kujtohet se kam pranuar një telefonatë nga Menaxheri i Degës në Lipjan, i cili më ka thënë ‘Dituri sot të kemi pritur në punë’, ndërsa unë ia ktheva se e kam pozitën e udhëheqëses së Qendrës së Trajnimeve, ndërsa ai më tha se i ishte thënë prej menaxhmentit,” u përgjigj Hoxha.

Krejt në fund të seancës, Kujtim Kerveshi, avokat i palës së paditur e pyeti paditësen se çfarë po nënkuptonte ajo me dhunë, pasi që po pretendonte se ishte larguar me dhunë nga puna dhe se kush e kishte ushtruar atë dhunë?

“Unë duke shkuar në punë e kam takuar ish kolegen time, e cila më ka thënë se janë marrë të gjitha masat që mos me të lënë të hysh fizikisht në bankë, andaj vlerësoje vetë se a dëshiron të ballafaqohesh me atë situatë apo jo. Unë e kam vlerësuar që është më mirë mos të shkoj sesa të më nxjerrin për krahu jashtë,” tha Hoxha.

Për largimet nga puna në Bankën “Pro Credit” emisioni “Jeta në Kosovë” shfaqi një hulumtim në shkurtin e këtij viti.

Seanca e radhës do të mbahet me 22 shtator.