Opozitarët Preken në Kuletë nga Bojkotimi i Komisioneve

Deputetëve opozitarë po u kushton nga 160 euro në muaj e më shumë bojkotimi i punës së komisioneve.

Deputetët opozitarë që nisën pengimin e punës së Kuvendit dhe bojkotimin nëpër komisionet parlamentare ku janë anëtarë nga 22 shtatori kur gjuajtën kryeministrin Isa Mustafa me vezë, janë duke humbur mëditjet që u takojnë për punën nëpër komisione.

Deputetja e Lëvizjes “Vetëvendosje” Albulena Haxhiu e cila kryeson Komisionin për Legjislacion tha për KALLXO.com se që nga muaji shtator nuk ka qenë pjesë e këtij komisioni.

Haxhiu foli edhe për çështjen e mëditjeve në komisione parlamentare duke treguar se ato i janë ndërprerë.

“ Shuma e mjeteve që paguhet për komisione është 160 euro në muaj. Pra i bie që për sa kohë nuk kemi qenë pjesë e komisioneve parlamentare, nuk kemi marrë mëditje dhe kjo është e natyrshme,” deklaroi deputetja Haxhiu.

Ndaljen e mëditjeve e konfirmoi edhe deputeti i AAK-së Pal Lekaj që është anëtar i komisioneve për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media dhe për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti e Industri.

“Prej vendimit që ka marrë opozita, ne nuk kemi marrë pjesë në komisione dhe së fundi nuk kemi marrë as mëditje. Prandaj, jo vetëm unë, por askush nga anëtarët e parlamentit nga opozita që janë nëpër komisione nuk kanë marrë mëditje,” tha Lekaj për KALLXO.com.

Deputeti i AAK-së tha se mëditja për një mbledhje të komisionit është 30 euro.

Deputetja e Nismës Valdete Bajrami që gjithashtu është pjesë e bojkotit të komisioneve thotë se nuk e ka shikuar llogarinë për ta parë a i mungojnë paratë e mëditjeve.

“Sa u përket mëditjeve unë nuk e di, sinqerisht nuk e kam parë llogarinë se a janë ndalur apo jo por me sa kam informatë në momentin që nënshkruhesh dalin mëditjet , në momentin që nuk nënshkruhet nuk ka mëditje,” tha Bajrami.

Ajo është zëvendëskryetarja e parë në Komisionin për Integrime Evropiane, anëtare në Komisionin për të Drejtat e Njeriut dhe anëtare në Komisionin për Legjislacion.

Drejtori i  komisioneve parlamentare në Kuvendin e Kosovës Fehmi Hyseni tha se deputetët që nuk marrin pjesë në mbledhje humbin mëditjet.

“Deputetët paguhen për pjesëmarrje në punën e komisioneve parlamentare në bazë të listave të nënshkruara që argumentojnë pjesëmarrjen në mbledhje të secilit deputet,” deklaroi Hyseni.

Ai bëri të ditur se që nga fillimi i bojkotit opozitar nëpër komisione, kanë dështuar vetëm tri mbledhje të tilla.

“Gjatë kësaj periudhe kohore vetëm tre komisione parlamentare në tri mbledhjet e tyre nuk kanë pasë kuorum  në mungesë të anëtarëve të pozitës dhe opozitës,” tha Hyseni.

KALLXO.com shkroi për njërën nga mbledhjet e dështuara kur në vend të pjesëmarrjes në të, anëtarë të pozitës zgjodhën të dalin për shopping.

Fehmi Hyseni tregoi edhe numrin e projektligjeve që duhet të kalojnë nëpër komisione për të shkuar pastaj për miratim në Kuvend. Sipas tij janë 31 projektligje që presin shqyrtimin e parë, ndërsa  11 që janë shqyrtuar.

Pavarësisht që bojkoti i prek në kuletë, deputetët opozitarë janë të vendosur që ta vazhdojnë mospjesëmarrjen e punës nëpër komisione, derisa qeveria të mos tërheqë nënshkrimet nga marrëveshjet për asociacionin dhe demarkacionin.

Albulena Haxhiu tha se Opozita do të vazhdojë “betejën” “qoftë në Kuvend, qoftë në rrugë përmes aksioneve, protestave e demonstratave”.

Edhe Pal Lekaj shprehu vendosshmërinë e bojkotimit të punës së komisioneve derisa marrëveshja për asociacionin të kthehet në pikën zero.

Njësoj u deklarua Valdete Bajrami e Nismës.

Që nga fillimi i bojkotit të komisioneve vetëm Ilir Deda i “Vetëvendosjes” mori pjesë në punën e Komisionit për Integrime Evropiane.