Opozita Prizrenase Kërkon Hetimin dhe Largimin e Drejtorit Të Arsimit

Në mbledhjen e Kuvendit Komunal të Prizrenit, të mbajtur të enjten, asamblistët opozitarë kanë kërkuar nga kryetari Muja largimin e drejtorit Nexhat Çoçaj nga posti i të parit të arsimit në Prizren.

Asamblistët opozitarë në mbledhjen ku i pranishëm ishte edhe kryetari Muja folën për punësimet pa kritere në arsimin prizrenas, për mësimdhënës me shkolla të mesme, nepotizëm dhe parregullsi tjera.

Mybera Mustafa nga grupi i asamblistëve të LDK-së, përmendi disa nga këto shkelje për të cilat tha se partia e saj ka fakte e prova.

“Rastet kur punëtorja e arsimit shkon në pushim të lehonisë e asaj i shpallet konkursi pa asnjë paralajmërim, gjë që mendoj se është shkelje e Ligjit të Shërbyesve Civilë, por edhe shkelje e të drejtave të njeriut, po ashtu ka raste kur dikush punon, e dikush tjetër merr rrogë dhe shumë raste të tjera,” tha asamblistja Mustafa.

Ndërsa Artan Abrashi nga Lëvizja “Vetëvendosje”, tha se këtë gjendje në arsim nuk e ka sjellë vetëm një person, por gjithë subjekti politik në pushtet.

“Përgjegjësia në këtë rast nuk është vetëm individuale, por është klanore dhe grupore, pra është e tillë në mënyrën se si funksion ky pushtet. Për këtë gjë Lëvizja ‘Vetëvendosje’ edhe njëherë fton organet e drejtësisë që t’i nisin menjëherë hetimet për të gjitha rastet e parregullsive, padrejtësive, keqpërdorimeve dhe abuzimeve që kane të bëjnë me sektorin e arsimit dhe të gjitha drejtorive të Ramadan Mujës,” tha Abrashi.

Ndërsa Skender Susuri nga Bashkimi Demokratik, pasi i numëroi një varg shkeljesh në arsim, i uroi doktoraturën drejtorit Çoçaj dhe kërkoi nga kryetari Muja që ai të zëvendësohet me ndonjë anëtar tjetër të partisë në pushtet.

“Në mënyrë shumë të sinqertë jam tu e thanë që në kuadër të Partisë Demokratike ka të tjerë njerëz që këtë punë munden me bo ma mirë. Unë po lexoj që drejtori ka doktoru, i uroj publikisht, e di që edhe merret me shkrime, edhe kjo është në rregull, por detyrat si drejtor i arsimit nuk po mundet me i bo, nuk po din,” tha Susuri.

Gëzim Duraj nga PDK-ja tha se po mungon vetëm edhe një gjykatës në kuvend që akuzave të asamblistëve t’ua japë një vendim në fund, teksa foli për të arriturat e Kuvendit Komunal të drejtuar nga partia e tij.

“Ky kuvend me iniciativën e ekzekutivit në krye me kryetarin e komunës, kur është fjala sidomos te buxheti, vitet e fundit janë ndërtuar shumë shkolla që ka qenë parakusht për rritje të cilësisë në arsim. Këto shkolla që janë ndërtuar në komunën tonë do t’i kishin lakmi edhe shumë vende të Bashkimit Evropian,” tha Duraj.

Ndërsa deputeti tjetër i PDK-së, Alush Shala, i porositi asamblistët që për dyshimet për parregullsi t’ i drejtohen prokurorisë së shtetit.

“S’kisha pasë dëshirë që asnjë asamblist i cili është zgjedhur me votën e popullit, të merret me thashetheme… për argumentet që ata i kanë, mirë është po e them edhe njëherëë le t’i çojnë në prokurori,” sugjeroi Shala.

Për të gjitha vërejtjet dhe kritikat që u bënë nga asamblistët e Kuvendit Komunal të Prizrenit, drejtori i Arsimit pati përgjigje.

Sa i përket punësimeve të mësimdhënësve me shkolla të mesme, Çoçaj tha se ky është problem i hershëm, para se ai të vijë në krye të drejtorisë.

Çoçaj tregoi se punësimi i fundit me shkollë të mesme është bërë në vitin 2004.

“Nuk i ka pranu Nexhat Çoçaj këta, secili prej tyre ka nga 32 vjet përvojë pune, nuk janë pranu në kohën time, më vjen keq për këtë,“ tha Çoçaj.

Çoçaj, në fund tha se është i gatshëm të përballet me të gjitha parregullsitë që po pretendohen, por tha se duhet të flitet me fakte.

Sa u përket punësimeve duke blerë vendin e punës, Çoçaj kërkoi nga asamblistët dhe nga gjithë qytetarët që të deklarojnë me emra se kush janë ata që po marrin të holla në emër të Drejtorisë së Arsimit në Prizren.

“Ju kisha lutë të gjithë kundërshtarëve, të gjithë qytetarëve, të gjithë prindërve dhe të gjithë mësimdhënësve, ju lutem tregoni kush, sepse edhe unë jam në zor, kush është t’u marrë në emër të Drejtorisë së Arsimit, ta dimë se kush është në emër temin t’u marrë, se qato pare që po përfliten unë nuk jam marrësi as nuk jam premtuesi,” kërkoi Çoçaj.

Kryetari Muja gjatë tërë kohës së zhvillimit të seancës nuk e tha asnjë fjalë, as për diskutimin rreth keqpërdorimeve në arsim, e as për kërkesën e asamblistëve opozitarë që ta largojë Nexhat Çoçajn.