Njerëzit e Drejtësisë Nesër Protestojnë për Transport dhe Rroga

Sindikata e Pavarur e Juridikaturës, që nga nesër do të fillojë protestën me të cilën do të kërkohet që punëtorëve të vendosur në këtë ndërtesë së sapopëruruar t’u sigurohet transporti.

Pallati i Drejtësisë në të cilin janë vendosur punëtorët e disa nga gjykatave dhe prokurorive, është vënë në funksion në fillim të muajit të kaluar, por po përballet me probleme infrastrukturore.

Përveç transportit, në protestën e nesërme që do të fillojë në orën 8.30 dhe do të zgjasë deri në 10, do të kërkojnë edhe implementimin e Marrëveshjes Kolektive si dhe rritjen e pagave për 25% për të gjithë të punësuarit në gjykata dhe prokurori.

Asllan Rusinovci, i kryetar i SPJK-së tha se ata këto kërkesa i kanë drejtuar qysh moti, por deri me tani të gjitha kanë hasur në vesh të shurdhër.

“Ne jemi të vendosur në lidhje me këto kërkesa, dhe besoj që nesër protestës do t’i bashkëngjiten më shumë se 500 punëtorë të cilët do të punojnë në Pallatin e Drejtësisë”, tha Rusinovci.