Nesër Merret Vendimi për Salih Mekajn

Përfundoi seanca për caktimin e masës së sigurisë për Kryetarin e Gjykatës së Apelit, Salih Mekaj.

Ai u arrestua nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare apo autoritetit. Prokurorja e rastit Drita Hajdari ka kërkuar masën e paraburgimit për Mekajt, ndërsa vendimi për këtë gjë do të merret nesër nga Gjyqtari i procedurës paraprake Vehbi Kashtanjeva.

“Gjykata nuk e mori vendimin sot, por vendimi do të merret nesër. Gjykata dha urdhër që të kthehen në qendrën e paraburgimit në polici. Si mbrojtës i Mekajt, pretendimet e prokurorit të shtetit në këtë rast si u mbështetën në seancën dëgjimore mbështeten në thashetheme, në deklaratat e Vlora Goranit”, tha avokati Destan Rukiqi.

Rukiqi përgënjeshtroi raportimet në media në Mekaj ka përfituar një shumë të parave.

“Ajo e ka keqpërdorur shoqërinë që ka pasur me Mekajn gjoja për t’i ndihmuar burrit të saj. Dje është përmendur në mjetet e informimit se Mekaj ka marrë ryshfet gjoja 20 mijë euro, por ajo as nuk i ka ofruar as nuk i ka premtuar dhe as zoti Mekaj nuk e ka marrë këtë shumë, madje as në kërkesën e prokurorisë nuk përmendet kjo”, shtoi avokati Rukiqi.

Naim Rudari avokati i të pandehurës Vlora Goranit për KALLXO.com tha se prokurorja nuk e ka arsyetuar kërkesën për caktimin e paraburgimit.

“Unë si përfaqësues i autorizuar i njërit nga të dyshuarit kemi kundërshtuar këtë masë me arsye të shumta ligjore ngase prokurorja nuk e ka arsyetuar sa duhet kërkesën e saj kinse e mbrojtura ime e ka kryer veprën penale të dhënies së ryshfetit”, tha avokati Rudari.

“Në këtë kërkesë nuk ekziston dyshimi se një person tjetër ka kryer marrje të ryshfetit çka nënkupton se këto dy vepra kanë lidhshmëri mes vete. Nëse ekziston një person që ka kryer veprën penale të dhënies së ryshfetit duhet të ekzistojë edhe një person që ka kryer marrje të ryshfetit”, shtoi Rudari.

13:33

Salih Mekaj Sillet në Gjykatë

Kryetari i Gjykatës së Apelit, Salih Mekaj në këto çaste është sjellë në Gjykatën Themelore të Prishtinës që gjendet në Pallatin e Drejtësisë.

Monitoruesi i Kallxo.com që gjendet në vendin e ngjarjes thotë ta ketë parë Mekajn duke e futur në Gjykatë.

Kreu i Apelit, Salih Mekaj sot pritet të dalë para gjyqtarit të procedurës paraprake për t’ia caktuar masën e sigurisë.

Për më tepër, Prokuroria Speciale e Kosovës dje përmes një njoftimi për media bëri të ditur se Mekaj ishte ndaluar më 20 korrik për shkak të dyshimit të bazuar se kishte kryer veprat penale të “keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “ushtrimit të ndikimit”.

Dje në një komunikatë për media Këshilli Gjyqësor i Kosovës, anëtar i së cilës është edhe Mekaj, ishte shprehur i shqetësuar lidhur me arrestimin e tij.