Nënshkruhen Katër Marrëveshje Kosovë - Serbi në Bruksel

Nënshkruhen katër marrëveshje Kosovë-Serbi në Bruksel, ndër to edhe marrëveshja për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Këtë e ka konfirmuar edhe Frederika Mogherini pêrmes një postimi në llogarinë e saj në Twitter.

“Kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë shënuan një pikë kthese në çuarjen përpara të agjendës së dialogut. Ata u pajtuan në parimet e përgjithshme dhe elementet kryesore të Asociacionit të Komunave Serbe të cilat e shtrojnë rrugën për themelimin e tij”, tha Mogherini në deklaratën e saj pas takimit.

Edhe kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, e konfirmoi marrëveshjen.

Duke folur për Asociacionin e Komunave Serbe, ai tha se kjo marrëveshje i ndihmon vendosjes së sovranitetit në tërë territorin e vendit.

“Është në dobi të Kosovës, është në të mirë të shtrirjes së sovranitetit në tërë Kosovën”, tha Mustafa për RTK.

“Opozita nuk ka arsye të protestojë, lufta politike nuk mund të bëhet duke atakuar familjet dhe pronat private, tha Mustafa.

Ndërsa kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pas takimit tha se Asociacioni do të ketë kompetenca të gjera.

“Ne sonte po e themelojmë Asociacionin e Komunave Serbe. Ky asociacion do të ketë kompetenca të gjera, kryetar, zëvendës-kryetar, Kuvend, Këshill, stemë, flamur… do të financohet nga Serbia dhe është thënë qartë se kjo është e drejtë e Serbisë”, tha Vuçiq për televizionin serb RTS.

Mogherini konfirmoi se Mustafa e Vuçiq janë pajtuar edhe për zbatimin e marrëveshjeve për energjinë dhe Planin e Veprimit për Telekomin i cili, sipas saj, do ta lehtësojë sistemin e telekomunikimit dhe operacionet në Kosovë.

“Kryeministrat u pajtuan për aranzhimet për urën e Mitrovicës. Ata do ta përcaktojnë përdorimin e urës në një mënyrë të pranueshme për të dyja palët e cila simbolizon frymën e dialogut të cilin jam duke e lehtësuar”, u shpreh kryediplomatja e BE-së.

Ajo tha se rezultati i arritur në raundin e sotëm të dialogut “përbën një arritje të rëndësishme në procesin e normalizimit” të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Zgjidhjet siç janë ato të arritura sot sjellin përfitime të dyanshme për njerëzit dhe në të njëjtën kohë u mundësojnë të dyja palëve që të avancojnë në rrugën e tyre evropiane. Përcaktimi i kryeministrave ishte vendimtar dhe unë konfirmoj se Bashkimi Evropian do ta mbështesë në mënyrë aktive këtë rezultat”, tha Mogherini.

Ajo u shpreh se BE bashkë me të dyja palët e përfshira në dialog do të vazhdojnë të punojnë në hapat tjerë të dialogut në muajt e ardhshëm.