Në Vushtrri Diskutohet për Ekstremizmin Fetar në Kosovë

Përfaqësues të institucioneve të Kosovës, shoqërisë civile dhe të fesë debatuan sot në Vushtrri në një tryezë që i kushtohej fenomenit të ekstremizmit fetar në vend.

Në tryezën e organizuar nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), si pjesë e një projekti kundër ekstremizmit fetar të mbështetur nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, u tha se ka forma të shumta të të shprehurit të ekstremizmit.

Skënder Perteshi nga QKSS tha se ekstremizmi fetar në botë është shfaqur sidomos pas sulmeve të 11 shtatorit ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndërsa, sipas tij, në Ballkan ka depërtuar disa vite më vonë.

Ai tha se qytetarët e Kosovës janë ndikuar nga luftërat në Siri dhe Irak dhe u janë bashkëngjitur atyre.

QKSS së fundmi ka publikuar edhe një raport ndaj këtij fenomeni për të cilin tha se nuk ka filluar të shfaqet vetëm gjatë kohëve të fundit.

“Në rajonin e Ballkanit, ekstremizmi fetar është një fenomen i ri. Edhe pse ka filluar të përhapet në vitin 2005, me këtë fenomen ne jemi ballafaquar që nga viti 2012”, tha Perteshi.

Policia e Kosovës në Vushtrri thotë se as kjo komunë nuk është imunë ndaj ekstremizmit fetar, sidomos pas fenomenit të fundit të shkuarjes së kosovarëve për të luftuar krah ISIS-it në Siri dhe Irak.

“Sa i përket ekstremizmit dhe rreth involvimit të qytetarëve nga Vushtrria në këto luftëra nuk është përjashtuar as komuna e Vushtrrisë. Kemi pasur që kanë qenë në këto lufta dhe kemi pasur edhe viktima”, tha Muhamet Alidema, komandant i Stacionit Policor në Vushtrri.

Ndërsa Sedat Islami nga dega e Bashkësisë Islame në Vushtrri u shpreh se edhe vetë islami e dënon ekstremizmin. Deklaratën e tij ai e ndërlidhi me një thënie profetike islame.

“Muhamedi ka thënë së në qoftë se njerëzit e shohin një te keqe dhe pastaj nuk e parandalojnë atë atëherë ka gjasë që Allahu t’i përfshijë të gjithë me dënim. Pikërisht këtë thënie e gjejmë edhe te Albert Anjshtajni i cili thotë së bota nuk shkatërrohet për shkak se ka njerëz që bënin keq po për shkak se nuk parandalohen ata që bëjnë keq”, tha Islami.