Në Gjykimin e Oliver Ivanoviqit Dëshmitari Tregon si iu Vra Gruaja

Në seancën kundër Oliver Ivanoviqit dhe katër personave tjerë të akuzuar për krime lufte në vitet 1999 dhe 2000, dëshmoi sot Shaip Canhasi.

Canhasi duke iu përgjigjur pyetjeve të prokurorit Cezary Michalczuk tregoi ku ishte më 3 shkurt të vitit 2000.

“Kam qenë në banesën time në veri të Mitrovicës, duke pirë çaj me gruan time”, tha dëshmitari.

Në natën mes 3 dhe 4 shkurtit të vitit 2000 në këtë pjesë të qytetit të Mitrovicës u vranë 10 shqiptarë, ndërsa mijëra të tjerë u dëbuan.

Dëshmitari Canhasi më tutje tregoi se çfarë i ndodhi gruas së tij para 15 vjetësh.

“Papritmas kam dëgjuar disa krisma. Gruaja ime ka dalë në korridor për të shikuar se çfarë po ndodh, ku është qëlluar me dy plumba. Si pasojë e atyre plumbave edhe ka vdekur pas tre minutave,” tha dëshmitari.

Ai bëri me dije se pak pas vrasjes së bashkëshortes gjashtë deri tetë persona i kanë hyrë brenda në banesë, pasi e kanë thyer derën e saj.

Canhasi tha se nuk i ka njohur personat që hynë dhunshëm në banesën e tij.

Me dëshminë e Shaip Canhasit përfundoi seanca kundër Ivanoviqit dhe të tjerëve.

Pas përfundimit të seancës kundër Oliver Ivanoviqit dhe katër personave tjerë, për KALLXO.com foli Burhan Maxhuni, përfaqësues i palës së dëmtuar.

“Ky rast është bukur specifik dhe bukur i veshtirë për arsye se qysh para 15 vjetësh kanë ndodhur ngjarjet, kështu që edhe dëshmitaret ndoshta ndonjëherë disa prova i kanë jo të sakta në këtë dëshmi,” tha Maxhuni.

Ai shtoi se një dëshmitar e ka parë Ivanoviqin ditën kur ndodhi masakra e vitit 1999 në Mitrovicë.

 

“Kemi dëshmitarë sidomos në rastin e vitit 1999 ku një ndër dëshmitaret thotë se e ka pare Oliver Ivanoviqin në vendin e ngjarje ne Rrugën  e Kovaçëve ne masakrën në të cilën janë vrarë disa shqiptarë,”  deklaroi Maxhuni.

Oliver Ivanoviqi në këtë proces gjyqësor akuzohet të ketë kryer krime të luftës gjatë vitit 1999. Ai gjithashtu, bashkë me ish-policin serb, Dragolub Delibashiq, akuzohet të ketë kryer vrasje gjatë përleshjeve, të cilat lanë 10 shqiptarë të vrarë dhe shumë të plagosur në shkurt të vitit 2000.

Tre të akuzuar tjerë, Ilija Vujaqiq, Nebojsha Vujaqiq dhe Aleksandar Llazoviq, akuzohen për vrasje dhe tentim-vrasje në shkurt të vitit 2000.

KALLXO.com-i në vazhdimësi është duke ndjekur këtë gjykim.