Në Gjykimin e Mlladiqit Dëshmi të Reja për Varrin Masiv
Gjykatësit në Gjykatën e Hagës po marrin në pyetje dëshmitarë të rinj në çështjen për krime lufte kundër Ratko Mlladiqit, pasi prokuroria u lejua të paraqiste prova të gjetura në varrin më të madh masiv në Bosnjë në vitin 2013.
Eksperti mjeko-ligjor Ian Hanson dëshmoi në gjykimin e ish-shefit ushtarak serb të Bosnjës Mlladiq në Gjykatën e Hagës ditën e mërkurë se “371 grupe eshtrash njerëzish” u zhvarrosën nga varri masiv në Minierën Tomasica pranë Prijedorit.
Aty përfshihen trupa të plotë, pjesë trupash, si edhe eshtra të veçanta, tha Hanson, i cili mbikëqyri zhvarrosjen si zëvendësdrejtor për mjekësinë ligjore të Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur.
Ai tha se gjatë zhvarrosjes me eshtrat e njerëzve “nuk u gjetën uniforma apo objekte të tjera ushtarake”.
Sipas aktakuzës, e cila e akuzon Mlladiqin për persekutimin e boshnjakëve dhe kroatëve në gjithë Bosnjë dhe Hercegovinën, Prijedori është një nga komunat ku persekutimi arriti shkallën e gjenocidit.
Prokurorët pretendojnë se forcat serbe të Bosnjës vranë boshnjakë, trupat e të cilëve u varrosën në Minierën Tomasica në pranverën e vitit 1992 gjatë një fushate spastrimi etnik në këtë zonë.
Gjatë marrjes në pyetje nga mbrojtja e Mlladiqit, Hanson tha se detyra e tij nuk ishte të përcaktonte rrethanat dhe kohën e vdekjes së viktimave.
Megjithatë, ai konfirmoi se kishte informacione nga Instituti për Personat e Zhdukur për Bosnjën dhe Hercegovinën se “rreth 800 dhe 900 trupa ishin sjellë në Tomasica në periudhën nga maji deri në gusht të vitit 1992”.
Sipas Institutit, viktimat nga zona e Brdas pranë Prijedorit të cilët u vranë më 20 korrik 1992, si edhe 140 njerëz të vrarë në kampin e burgimit në Keraterm më 24 korrik 1992, ishin ndër ata të varrosur në varrin masiv.
Hanson tha se as ai dhe as ICMP-ja nuk e kishin verifikuar këtë informacion.
Gjykata e mbështetur nga OKB-ja vendosi vitin e kaluar të lejonte prokurorinë të rihapte provat e saj kundër Mlladiqit për të paraqitur prova për Tomasican.
Gjykatësi Alphons Orie tha se aktualisht prova për Tomasican ishte “shumë e përshtatshme për akuzat kundër Mlladiqit”.
Mlladiq po gjykohet gjithashtu për gjenocid në vitin 1995 në Srebrenicë, terrorizim të popullsisë së Sarajevës dhe pengmarrje të paqeruajtësve të OKB-së.