Në Gjykimin e Kryetarit të Parteshit Dëshmon ish-Sekretarja e Ministrisë

Zana Kotorri, ish-sekretare e përgjithshme në Ministrinë për Kthim dhe Komunitete në vitet 2008-2013, tregoi mbi procedurat e aplikimit dhe fitimit të ndihmës nga kjo ministri. Kryetari i Parteshit Dragan Nikoliq akuzohet për keqpërdorim ndihmash të dedikuara për komunitetin e tij. Disa nga të dëmtuarit thanë se nuk ndihen se kanë humbur ndonjë gjë.

Njëri nga të dëmtuarit në procesin për keqpërdorim ndihmash ku i akuzuar është kryetari i Parteshit Dragan Nikoliq, tha se në këtë komunë qarkullonin fjalë që materiali ndërtimor ose jepej nga partia Regjionet e Bashkuara të Serbisë (USR) që vepron në këtë shtet, ose nga vetë kryetari i komunës.

Por ndihmat për këtë komunitet ishin dhënë nga Ministria për Kthim dhe Komunitete të Kosovës.

Zana Kotorri, ish-sekretare e përgjithshme në Ministrinë për Kthim dhe Komunitete në vitet 2008-2013 tregoi rregullat se si duhej të jepeshin ndihmat nga kjo ministri.

“Qytetari duhet të aplikojë, pastaj themelohet komisioni, i cili edhe del në terren ku kërkesat i shqyrton, verifikon dhe përgatit një raport, nëse kërkesa aprovohet apo refuzohet”, tha Kotorri.

Por kështu nuk kishte ndodhur me materialin ndërtimor të destinuar për banorët e Parteshit, pasi ata nuk kishin aplikuar individualisht për këto ndihma në ministri, por në komunë, ndërsa në emër të ndihmave të marra për ta kishte nënshkruar kryetari i komunës.

“Për 15 përfitues ekzistojnë 2 formularë, njëri me 5 përfitues e tjetri me 10, ku këta formularë janë nënshkruar nga komisioni dhe i akuzuari Dragan Nikoliq si përfaqësues grupor i familjeve përfituese”, tha Kotorri.

Sipas Kotorrit shuma maksimale e mjeteve që mund të përfitonte marrësi i ndihmave ishte 5.000 euro, ndërsa formularët individualë të aplikimit për ndihma ajo tha se nuk kanë ardhur asnjëherë në ministri.

“Është thënë se së shpejti këta formularë do t’i sjellë Dragan Nikoliqi, por që sa e di unë nuk janë sjellë”, tha Kotorri.

Ajo shtoi se komisioni i krijuar nga ministria do të duhej të shpërndante ndihmat në Partesh, e jo kryetari i kësaj komune.

“Sa e di unë, Dragan Nikoliqi nuk ishte punëtor i ministrisë, nuk e di nëse e kishte shpërndarë materialin ndërtimor dhe i njëjti  nuk kishte ndonjë autorizim për t’i pranuar këto ndihma”, tha Kotorri.

Por të dëmtuarit e këtij procesi shfajësuan kryetarin e tyre.

Ivica Nikoliq i cili ishte në listën e përfituesve të kësaj ndihme në shumën prej 3.000 eurosh, edhe pse nuk e kishte marrë ndihmën, tha se nuk ndihej i dëmtuar nga kryetari Nikoliq.

“Ndoshta s’më ka taku mua kjo ndihmë, ndoshta ka pasë ndonjë familje më të varfër që ju ka takuar ajo”, tha Nikoliq.

Stojan Gjorgjeviq, edhe pse tha se formulari me të cilin mori materialin nuk e kishte emrin e tij, por vetëm sasinë që përfitoi, gjithashtu nuk e konsideroi veten të dëmtuar.

“Dragan Nikoliq nuk ka shpërnda ndihma dhe mua personalisht nuk më ka dëmtuar”, tha ai.

Të njëjtën e deklaroi edhe Nikolla Jovanoviq.

“Edhe nëse kam qenë në regjistër për marrje të ndihmave dhe nuk kam marrë asgjë, nuk e ndiej  veten të dëmtuar, sepse ishte fjala për ndihma në vlera të vogla”, tha Jovanoviq.

Kur të dëmtuarit deklaruan kështu, i akuzuari Dragan Nikoliq th ase ai po akuzohet ngase prokurori Agron Uka deklaratat i ka marrë me dhunë dhe presion.

“Nuk lejoj të nëpërkëmben institucionet e Republikës së Kosovës. Kërkoj t’i tërhiqet vërejtja të akuzuarit”, tha prokurori Uka.

Gjyqtari Afrim Shala e bëri një gjë të tillë.

“Si i akuzur ke drejtë  me folë, heshtë, me rrejtë  por nuk ke drejtë me thënë se ky [prokurori] ka kryer vepër penale pa pasur prova dhe bazë”, tha Shala.

Gjykimi është shtyrë për 26 nëntor kur pritet që Nada Bojqet dhe Aleksandar e Miodrag Xhekiq të sillen me detyrim në gjykatë.