Në Gjakovë Debat Publik për Transparencën e Komunës

Në Komunën e Gjakovës u diskutua me qytetarë për draftin final të Planit të Veprimit për Transparencë.

Në debat u fol edhe për ndryshimin dhe plotësimin Rregullores për Transparencë në Komunën e Gjakovës.

Gjatë debatit, Abetare Domi, shefe e Zyrës për Informim në Komunën e Gjakovës tha se kjo komunë do të ndërmarrë veprime që qytetarëve t’u sigurojë transparencë të plotë lidhur me punën dhe aktivitetet e saj.

Flamur Vula, anëtar i komisionit për ndryshime të Planit të Veprimit dhe Rregullores për Transparencë, tha se komuna do ta rrisë bashkëpunimin me shoqërinë civile dhe qytetarët.

Ai tha se rregullorja dhe Plani i Veprimit për Transparencë duhet t’u përshtatet ligjeve që rregullojnë këtë fushë.

“Ndryshimi i mëparshëm i Ligjit për Qasje në Dokumente Zyrtare dhe harmonizimin e këtij dokumenti [Planit të Veprimit për Transparencë] momentalisht që e kemi si draft pune, me Ligjin për Qasje në Dokumente Publike dhe natyrisht këto ndryshime pasojnë duke u bazuar në Udhëzimin Administrativ që 05/2013 për Transparencë në Komunat e Kosovës,” tha Vula.

Plani i Veprimit për Transparencë në Komunën e Gjakovës do të realizohet nga nëpunësit civilë komunal dhe këshilltarët e ndryshëm të cilët do të angazhohen për bashkëpunim në rritjen e transparencës, ndërsa ky plan mund të ndryshohet apo plotësohet sipas rrethanave dhe kërkesave të parashtruara.