Ndihen të Pafajshëm të Akuzuarit për Tentim-Vrasjen në ‘Zone Club’

Sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë u zhvillua seanca kundër pesë personave për vrasje në tentativë dhe pjesëmarrje në rrahje.

Prokuroria i akuzon Leonard Hajdarin dhe Mentor Palokajn për vrasje në tentativë, Krenar Çoçajn për shtytje në vrasje dhe kanosje, ndërsa Burak Gërdovcin dhe Gramoz Mjekun për pjesëmarrjes në rrahje.

Në seancën e sotme i akuzuari Leonard Hajdari, tha se e kishte goditur me thikë tani të dëmtuarin Labinot Mehmeti, porse e kishte bërë këtë nën ndikimin e alkoolit dhe substancave narkotike.

Të akuzuarit edhe në seancën e sotme u deklaruan të pafajshëm.

Sipas prokurorisë rrahja kishte ndodhur në janar të këtij viti në Klubin “Zone” të Prishtinës, ndërsa të përfshirë në të ishin të akuzuarit Leonard Hajdari e Mentor Palokaj dhe të dëmtuarit Labinot e Drilon Mehmeti dhe Shkëlzen Shala.

Prokurori Abdurrahim Islami tha se aktakuza do të vërtetohet gjatë shqyrtimit gjyqësor.

”Konsiderojmë se në rastin konkret gjatë shqyrtimeve që do të mbahen do të vërtetohet se në veprimet e të gjithë të akuzuarve ekzistojnë të gjitha elementet e veprave penale për të cilat akuzohen këta të pandehur”, tha Islami.

Fjalën hyrëse të prokurorit e përkrahën edhe të dëmtuarit të cilët gjithashtu thanë se kërkojnë dëmshpërblim.

Avokatët e të pandehurve e thanë të kundërtën-se do ta vërtetojnë pafajësinë e klientëve të tyre.

“Besoj që gjatë këtij procesi gjyqësor nga personat  e propozuar në aktakuzë në cilësi të pandehurve, dëshmitarëve dhe të dëmtuarve do të vërtetohet që aktakuza e prokurorisë është në kundërthënie, “tha Naser Sopjani, avokati i Leonard Hajdarit.

Edhe Sevdali Zejnullahu, Arsim Bilalli dhe Korab Rexhepi, mbrojtësit e të pandehurve të tjerë e cilësuan aktakuzën të pabazuar dhe pa prova bindëse, ndërsa Burak Gërdovci i cili nuk kishte mbrojtës tha se “E ndjej veten plotësisht të pafajshëm dhe të dëmtuarit po thonë se unë nuk kam marrë pjesë në rrahje”.

Kurse në fund, Naser Sopjani avokati i Leonard Hajdarit kërkoi nga trupi gjykues që të mbrojturit të tij t’i hiqet masa e paraburgimit dhe ajo t’i zëvendësohet me ndonjë masë më të lehtë. Handari ndodhet në paraburgim që nëntë muaj.

Trupi gjykues pas kësaj kërkese vendosi që Leonard Hajdarit t’i hiqet masa e paraburgimit. Atij iu caktua masa e arrestit shtëpiak.

Seanca e radhës është caktuar më datën 5 tetor.