Nderohet Ibrahim Rugova në 70 Vjetorin e Lindjes

Homazhe dhe nderime u bënë sot në varin e ish Presidentit Rugova me rastin e 70 vjetorit të lindjes së tij.

Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës Isa Mustafa tha se Rugova mbetet njëri ndër personalitetet më të shquara të kësaj epoke.

Mustafa e cilësoi Rugovën si “kreator i lirisë dhe pavarësisë dhe njeriu që i hapi dyert kryesore  të vendeve më të rëndësishme botërore për Kosovën”.

Duke u thirrur në cilësitë e tij Mustafa premtoi se ai dhe LDK do t’i kultivojnë këto veçori të liderit historik të partisë.

Ibrahim Rugova drejtoi LDK-në që nga themelimi i saj në fund të vitit 1989 deri në vdekjen e tij më 21 janar 2006.

Krahas pozitës së kryetarit të LDK-së, ai që nga viti 2002 e deri në vdekje ishte edhe President i Kosovës.

“Ne natyrisht se do t’i kemi të gjitha këto parasysh në mënyrë që të ndërtojmë raport të mirë ndaj figurës së tij”, u shpreh Mustafa

Duke qenë se kishte ardhur te varri i Ibrahim Rugovës për të bërë homazhe, Mustafa nuk pranoi të flasë për zhvillimet politike në vend.

LDK ka lidhur një marrëveshje koalicioni me PDK-në për mandatin e ardhshëm qeverisës, por është ende e paqartë se cilës parti do t’i takojë posti i kryeministrit të vendit.

“Sot kemi dalë për Presidentin Rugova”, u shpreh Isa Mustafa.

Sekretari i përgjithshëm i LDK-së, Ismet Beqiri, i cili ishte pjesë e delegacionit të LDK-së në këto homazhe, tha se figurën e Rugovës e nderojnë edhe personalitete nga partitë tjera.

Ndër ta ishte edhe kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, i cili kishte ardhur sot në mëngjes në Prishtinë bashkë me ekipin e drejtorëve komunalë.