Ndërmjetësimi Shkarkon Lëndët nga Gjykata dhe Prokuroria në Gjakovë

Brenda dy viteve të fundit, Qendra e Ndërmjetësimit në Gjakovë ka shkarkuar gjykatën dhe prokurorinë në këtë komunë me mbi 200 lëndë të trajtuara.

Administratorja e kësaj qendre, Arbnore Shehu – Bunjaku, ka thënë për KALLXO.com se shumë lëndë i janë referuar kësaj qendreje nga organet e drejtësisë gjatë viteve 2013 dhe 2014.

“Nga gjykata prej vitit 2013 kemi 153 lëndë të referuara ku 114 prej tyre janë zgjidhur me sukses dhe kanë përfunduar me marrëveshje dhe janë kthyer në Gjykatë për të marrë fuqinë e titullit ekzekutiv, ndërsa 39 prej tyre janë pa marrëveshje. Nga prokuroria janë të referuara 80 lëndë të veprave të ndryshme penale aty ku lejon ligji me referu në ndërmjetsim dhe që të gjitha janë të referuara me marrëveshje”, tha Shehu- Bunjaku.

Qendra për Ndërmjetësim funksionon që nga fundi i vitit 2011 dhe shërben si institucion që i ndihmon gjykatat për zgjidhjen e lëndëve që zvarriten për t’u trajtuar dhe u jep mundësi palëve që kontestet e tyre t’i zgjidhin me marrëveshje.

Kryetari i Gjykatës Themelore në Gjakovë, Vaton Durguti, shprehet i kënaqur me numrin e lëndëve të referuara në ndërmjetësim.

“Është shënuar një numër i madh i lëndëve të cilat kanë përfunduar me arritjen e marrëveshjes në Qendrën e Ndërmjetësimit dhe gjatë vitit 2013 dhe 2014 mund të themi se i shënojmë mbi 200 raste, por këto të gjitha janë të materies civile”, tha Durguti

Organizata “Partners- Kosova Center for Conflict Management” me mbështetje nga USAID-i dhe ATRC-ja ka nisur një projekt shtatëmuajsh për mbikëqyrjen e lëndëve që gjykatat i çojnë te ndërmjetësuesit, rast për të cilin kishte raportuar KALLXO.com.