Ndërgjegjësim me Debat për Komunitetin LGBT
Media, organizata jo-qeveritare, ambasada dhe organizata ndërkombëtare të ulur së bashku me komunitetin LGBT diskutuan sot në Prishtinë për mënyrat se si mund të raportohet më drejtë dhe më saktë për këtë komunitet.
“Përtej tabusë – tregime të dashurisë së zakonshme” ishte tema e ngjarjes e organizuar sot në Prishtinë nga projekti i BE-së “Normally Different” në kuadër të “Lufta Kundër Homofobisë dhe Transfobisë në Kosovë”.
Të ftuar ishin mediat, organizatat nga shoqëria civile, ambasadorë dhe nga komuniteti LGBT për të diskutuar se si munden mediat të krijojnë opinionin publik për çështjet e këtij komuniteti.
Anëtarë të komunitetit LGBT theksuan se ky komunitet vazhdon të jetë i margjinalizuar dhe vazhdojnë të sfidohen me probleme të ndryshme në jetë.
Të ndarë në disa grupe, ndër të tjera, pjesëmarrësit theksuan se aktivitetet e komunitetit LGBT duhen të kenë vend më shumë ne media dhe të raportohet drejtë.
Po ashtu, disa nga idetë tjera ishin edhe ndryshimi i kurrikulit arsimor e cila duhet të përfshijë tema që do të diskutoheshin me nxënës në disa lëndë të caktuara.
Pjesëmarrësit theksuan se mediat vendore duhen të kenë kujdes në përdorimin e terminologjisë për komunitetin LGBT dhe po ashtu të kujdesen që në raportime të mos të ketë gjuhë të urrejtjes.
Lendi Mustafa, aktivist nga Qendra për Emancipim Shoqëror (QESH) thekson se mediat duhen të interesohen më shumë për aktivitetet e komunitetit LGBT.
“Duhet të kihet kujdes në përdorimin e terminologjisë për këtë komunitet”, tha Mustafa.
Blerta Morina aktiviste në “Qendra për Barazi dhe Liri” tha: “Media luan një rol shumë të rëndësishëm kështu që jo gjithmonë kur mediat shkruajnë për komunitetin LGBT të përdoret në kontekstin negativ.”
Udhëheqësi i projektit, Dieter Schindlauer tha se komuniteti LGBT ka nevojë për të ngritur edhe më tutje besimin e ndërsjellë në mënyrë që të ketë raportime më të shpeshta.
“Madje shumica nga gazetarët pjesëmarrës shprehën habinë e tyre duke i parë kolegët e tyre të interesuar po ashtu. Gjersa në të njëjtën kohë shumë debatuan për vështirësitë për të folur për minoritetin seksual duke mos pasur ndonjë figurë publike që nuk paraqitet publikisht”, tha Schindlauer.
Projekti “Normally Different” është e angazhuar për përmirësimin e ligjit kundër diskriminimit, për trajtim të barabartë të komunitetit LGBT, trajnime dhe fushata vetëdijësuese.
Partnerët e projektit janë Zyra për Qeverisje të mirë në Zyrën e Kryeministrit, Instituti i të Drejtave Njerëzore Ludwig Boltzmann (AUT) dhe Instituti Kombëtar i Shëndetit dhe Mirëqenies (FIN).