
Nait Hasani: Themelimi i Speciales Dënim i Vetvetes
Deputeti Nait Hasani që votoi më 26 qershor kundër Speciales, vazhdon ta ketë të njëjtin mendim për këtë gjykatë.
Ai në seancën e Kuvendit tha se themelimi i Speciales është dënim i vetvetes.
“…ne po kërkojmë ta dënojmë vetën, meritojmë të dënohemi se nuk kemi vepruar… Ata po kërkojnë që ne të bëjmë vetëvrasje, që ne s’kemi çka kërkojmë më tutje,” tha Hasani në lidhje me themelimin e Gjykatës Speciale.
Megjithatë, Hasani nuk e përjashtoi krejtësisht krijimin e Speciales.
Serbia duhet ta dënojë krimin që ka bërë… ne jemi të gatshëm të krijojmë Gjykata nëse Serbia e dënon krimin që ka bërë,” tha më tutje Hasani.
Deputeti i PDK-së Xhavit Haliti i tha dje KALLXO.com-it se kreu i kësaj partie Thaçi duhet të bisedojë me deputetët që refuzuan Specialen për t’i lutur që të ndryshojnë qëndrim rreth kësaj gjykate.
Shtatë deputetë të PDK-së votuan kundër amendamentit numër 24 që precizon themelimin e Dhomave të Veçanta të kësaj gjykate, ndërsa dy abstenuan.
Nisja e mbledhjes së Kuvendit me një minutë heshtje për masakrat e Srebrenicës, deputetit Nait Hasani ia kujtoi masakrën e Dubravës, nga e cila mbijetoi.
“Edhe ky [masakra e Dubravës] është një krim, edhe ky është një gjenocid, që vetëm në kohen e Hitlerit ka pasur të tillë në kampet e asaj kohe, dhe askush që atëherë nuk është marrë me atë hetim se si ka ndodhur, qysh nga drejtori i burgut të Dubraves e as të gardianëve”, tha Hasani.