Mustafa: U Tentua Ardhja në Pushtet Përmes Trazirave

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, tha sot se qëllimi kryesor i protestës së djeshme në sheshet e kryeqytetit ishte marrja e pushtetit me dhunë.

“Protesta ishte e qartë: marrja e pushtetit me dhunë, pa vullnetin e popullit dhe ardhja në pushtet përmes trazirave”, tha kryeministri Mustafa gjatë mbledhjes së sotme të qeverisë.

Sipas kryeministrit, dhuna ndodhi për shkak të ultimatumit që organizatorët ia dhanë policisë për largimin e kordonit.

“Shkaktar i dhunës ishte ultimatumi i dhënë për t’u hequr kordonët”, shtoi Mustafa. “Nga protesta që kishte qëllim kryekëput politik, tendenca për të dëmtuar prona private e publike është e papranueshme”, tha më tej Kryeministri.

“Ata e sulmuan policinë pasi që nuk u lejua një gjë e tillë. Sulmi ndaj policisë është sulm ndaj institucioneve të Kosovës”, deklaroi Mustafa.

Kryeministri Mustafa foli edhe për Trepçën, për të cilën tha se u mbrojt me ligj dhe do të mbrohet me ligj të veçantë.

“Qeveria kërkon nga opozita që kërkesat e tyre t’i zgjidhë në Parlament. Qeveria zotohet që t’i përkrahë institucionet shtetërore. Populli ynë ka nevojë për paqe, qetësi dhe zhvillim ekonomik”, deklaroi Mustafa.