Mustafa: Qeveria S’ka Para për Punëtorët e Fabrikës së Tubave

Kryeministri Isa Mustafa në foltoren e Kuvendit ua ka humbur shpresat punëtorëve të Fabrikës së Tubave se ekzekutivi i vendit do t’ua kompensojë 25 milionët e dëmit për shkak të largimit të padrejtë nga puna në vitet ’90, edhe pse të gjitha shkallët e gjykatave obligojnë Qeverinë dhe AKP-në për këtë gjë.

Mustafa i tha këto fjalë, duke iu përgjigjur pyetjes se deputetit të AAK-së Pal Lekaj që u interesuaa për fatin e këtij kompensimi.

“Ne me buxhetin e Republikës  së  Kosovës nuk kemi të paraparë ndarjen e buxhetit për këtë . Ndërsa në AKP është vlera e shitur dhe ajo vlerë nuk e mbulon kërkesën e punëtorëve. Unë nuk shoh mundësi që këtë ta bëjmë me buxhetin e Kosovës, por gjykata duhet të shohë vendimin se si mund të bëhet kjo”, tha Mustafa.

Disa punëtorë të kësaj fabrike janë duke protestuar para Qeverisë që nga 28 maji 2014, pasi Gjykata Kushtetuese obligoi qeverinë dhe AKP-në që t’ua kompensojë këtyre punëtorëve dëmin për largimin e padrejtë nga puna në periudhën 1990-1999 nga masat e dhunshme të vendosura në këtë fabrikë në kohën e paraluftës.

I pari i Qeverisë u pyet edhe për kompensimin e dëmeve nga fatkeqësitë natyrore  që kanë ndodhur viteve të kaluar . Ai tha se komunat kanë kërkuar nga ekzekutivi vetëm intervenim të FSK-së, por jo edhe kompensim me të holla.

“Sa i përket dëmeve të vërshimeve ne kemi pasë vetëm kërkesat për  FSK-në për intervenim, por nuk kemi pasë asnjë kërkesë nga komuna në lidhje me kompensimet e dëmeve”, pohoi Mustafa.