Mustafa: Nuk Lejuam që Trepça të Falimentojë
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa tha se qeveria e tij dhe Kuvendi nuk lejuan që kjo Trepça të falimentonte.
“Nuk e kemi kry krejt punën pasi që puna kryhet vetëm atëherë kur Trepça të filloi prodhimin me statusin e ri të saj”, tha Mustafa.
Ai e bëri këtë deklaratë në Mitrovicë edhe në cilësinë e kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), dega e së cilës në këtë qytet festoi 25 vjetorin e themelimit.
Në mesin e anëtarëve dhe simpatizantëve të LDK-së kishte edhe mysafirë të tjerë, përfshi kryetari i Komunës së Mitrovicës Agim Bahtiri, menaxheri i ndërmarrjes Trepça Ahmet Tmava dhe ministra të qeverisë Mustafa.
“Unë dëshiroj të gjithë juve tu uroi këtë përvjetor tepër të rëndësishëm; dëshiroj që sot të shpreh respektin tim dhe të gjitha organeve të LDK-së për të gjithë ata që kanë punuar gjatë gjithë kësaj kohe”, tha Mustafa.
Safet Kamberi, kryetari i degës së LDK-së në Mitrovicë, u vendos para disa ditësh në këtë post në vazhdën e zgjedhjeve të brendshme që po kalon LDK-ja. Ai foli për rolin e LDK-së në kohë paqeje si dhe gjatë periudhës së luftës në Kosovë.
Partia, kryetar i së cilës është Mustafa, u themelua më 23 dhjetor 1989 në Prishtinë.