arkiv

Mustafa: Migrimin nuk e Solli Bllokada Politike

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa ka thënë se migrimin e qytetarëve nuk e ka shkaktuar bllokada gjashtëmujore e bllokut politik LVAN.

Kjo pyetje i erdhi nga deputeti Rexhep Selimi, i cili ia rikujtoi se për ikjen e qytetarëve të Kosovës ishte fajësuar blloku LVAN nga ish-kryeministri Hashim Thaçi.

“Ish-kryeministri Hashim Thaçi ka deklaruar se për një situatë të tillë e kanë fajin bllokun LVAN që ka krijuar një situatë e cila ka ndikuar në migrim. A e pranoni përgjegjësinë apo e demantoni ministrin tuaj?”,Pyeti deputeti i VV-së, Selimi.

Kurse Kryeministri Mustafa nuk pajtohet me vlerësimin e deputetit Selimi.

“Unë jam deklaruar edhe publikisht që nuk vlerësoj që këtë situatë e ka krijuar LVAN-i, por  as Qeveria e re. Është një situatë që nuk po ballafaqohemi vetëm ne si Kosovë, por edhe shtetet e tjera. Mbi 25 mijë persona kanë migruar nga Kroacia. Por ka pasur migrim edhe nga Shqipëria dhe Serbia”, u përgjigj kryeministri  Mustafa.

I pari i Qeverisë ritheksoi që LVAN-i dhe Qeveria e re nuk e kanë krijuar çështjen e migrimit, ndërsa tha se kjo dukuri duhet të shikohet përmes një vlerësimi.

“Duhet të bëjmë një vlerësim se cilat janë kushtet ekonomike që qytetarët tanë po marrin rrugën e migrimit”, shtoi Mustafa.