Mustafa Kërkon Rishqyrtim Të Marrëveshjes Së Bllokut

Lideri i LDK-së Isa Mustafa, edhe njëherë në një komentim në Facebook, ka thënë se duhet të shqyrtohet marrëveshja e bllokut e arritur me 10 qershor, pasi që sipas tij, vendimi i Gjykatës Kushtetuese e ka bërë të pamundshëm implementimin e kësaj marrëveshjeje.

“Situata në Kosovë lidhur me konstituimin e institucioneve pas zgjedhjeve të përgjithshme është larg më e rëndësishme, sesa thjeshtësimi i saj se kush do të jetë në krye të institucioneve”, ka shkruar Mustafa në Faceboook.

Ai ka lënë të kuptohet se duhet të arrihet një marrëveshje e re e bllokut, pasi që sipas tij, vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese e pamundëson implementimin e marrëveshjes së 10 qershorit.

“Ne do të angazhohemi maksimalisht që me marrëveshje të koalicionit paszgjedhor të bëjmë zgjidhje të pranueshme për subjektet që ne i përfaqësojmë dhe në interes të partive të koalicionit dhe të qytetarëve, pasi vendimi i Gjykatës Kushtetuese e bëri të pamundur implementimin e marrëveshjes sonë të dt. 10 qershor 2014”, vazhdon komenti i Mustafës në rrjetin social.

Lideri i LDK-së, Isa Mustafa, ai i AAK-së Ramush Haradinaj dhe ai i Nismës për Kosovën, më 10 qershor,  nënshkruan një marrëveshje për koalicion paszgjedhor, duke nominuar Ramush Haradinajn për kryeministër dhe Isa Mustafën kandidat për kryetar të Kuvendit..

Por pas deklarimit publik të bllokut se do të votojnë një përfaqësues të PDK-së për kryetar të Kuvendit, në LDK po kërkohet rishqyrtimi i marrëveshjes, në mënyrë që Mustafa të jetë kandidati  i nominuar i bllokut për kryeministër.

Sot edhe kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj ka paralajmëruar disa takime me strukturat partiake të subjektit që drejton.